SOT, ORA 19:00/ Kupa e Shqipërisë, Egnatia sot për hakmarrjen ndaj Dinamos! Dede është gati për trofeun
Egnatia duket se i ka të gjitha kartat në rregull për të shkuar me besim maksimal në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Dinamos.
Në kampin rrogozhinas kjo sfidë nuk shihet thjesht si një tjetër finale, por si mundësia ideale për të marrë hak për zhgënjimin e madh të një viti më parë, kur trofeu u rrëshqiti nga duart pikërisht ndaj të njëjtit kundërshtar, pas goditjeve të penalltive në “Elbasan Arena”.
Kujtimi i asaj humbjeje vazhdon të jetë ende i freskët në skuadër. Futbollistët dhe drejtuesit e Egnatias e konsiderojnë atë finale si një plagë sportive që ende nuk është mbyllur. Pikërisht për këtë arsye, finalja e këtij sezoni ka marrë një rëndësi të veçantë, pasi përveç mundësisë për të fituar një tjetër trofe, ajo përfaqëson edhe një shans për të rikthyer krenarinë dhe për të treguar se Egnatia ka mësuar nga gabimet e së kaluarës.
Në ambientin e skuadrës ndihet qartë vendosmëria për ta rrëmbyer Kupën me çdo kusht. Futbollistët janë të ndërgjegjshëm se kjo finale mund të vendosë vulën mbi një sezon të suksesshëm dhe se triumfi ndaj Dinamos do të kishte një shije të veçantë. Motivimi është në maksimum dhe askush nuk dëshiron të largohet sërish nga fusha me zhgënjimin e humbjes.
PLANI I DEDES – Trajneri Nevil Dede ka punuar me detaje gjatë ditëve të fundit për të përgatitur skuadrën në aspektin taktik dhe psikologjik. Strategjia e tij është e qartë: të mos i lejojë Dinamos hapësira pranë zonës dhe të bëjë që Egnatia të jetë skuadra që dikton ritmin e ndeshjes nga minuta e parë.
Në seancat stërvitore, Dede ka kërkuar përqendrim maksimal dhe disiplinë në çdo repart. Mesfusha pritet të ketë një rol kyç, duke ushtruar presion të vazhdueshëm dhe duke penguar kundërshtarin të organizojë aksione të rrezikshme. Në të njëjtën kohë, trajneri ka insistuar që skuadra të shfrytëzojë pikat e dobëta të Dinamos, të cilat janë analizuar me kujdes gjatë gjithë javës. Sipas stafi t teknik, kontrolli i lojës do të jetë një nga elementët më të rëndësishëm. Egnatia synon të mbajë topin, të krijojë superioritet në mesfushë dhe të godasë në momentet e duhura.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













