SOT, ORA 13:30/ Derbi Partizani-Tirana për drekë, kush humb “paguan”
Këtë të diel tifozët e vërtetë të kryeqytetit duhet ta bëjnë pak më herët zgjimin, të mbyllin shpejt e shpejt ato detyrimet me familjen apo shoqërinë dhe me vrap për në stadium, sepse në 13:30 luhet Partizani-Tirana.

Jo tek “Arena Kombëtare”, adresa e derbit ka ndryshuar, është dërguar në skajin verilindor të Tiranës, te “Kafja e Rremës” në Tufinë. Duket si përrallë, por nuk është, ndeshja më e madhe e kryeqytetit, por edhe gjithë vendit, do të luhet në stadiumin 4 mijë vendësh dhe me fushë sintetike të Partizanit, shtëpinë që e ndërtoi me plot mund.
“PAGESA” – “Kush humb, paguan”, lexuat më lart. Jo më kot, sepse ky derbi i gjen Tiranën dhe Partizanin në momente shumë specifike dhe delikate. Në rast humbjeje, bardheblutë do ta paguanin duke u zhytur më shumë në renditje dhe duke luftuar deri në fund për mbijetesën. Te Partizani ka pasur ulje në lojë dhe mungesë rezultatesh, çka ka vënë në dyshim forcën e ekipit. Në rast disfate, Partizani do të ishte më pak i frikshëm për rivalët dhe më pak pretendent për titullin, duke pësuar goditje jo të vogël.
PABARAZI – Përtej fitimeve, fushës, stadiumit e gjithçkaje, në derbi ajo që ka më shumë rëndësi është të fitosh. Dhe në këtë pikë të sezonit ku kemi mbërritur, dyja ekipet janë më të etura se kurrë për të fituar. Por në renditje balancat janë prishur, nuk janë si në 3-4 vitet e fundit. Tirana po “kacavirret” të mbijetojë në Kategorinë Superiore, ndërsa Partizani është pjesë e katërshes. Diferenca pas 23 javësh është 17 pikë.
KRYENGRITJE – Tirana në këtë kampionat është e vetme përballë të gjithëve, madje edhe përballë gabimeve të veta në të shkuarën. Por këtë diel, më shumë se kurrë duhet të tregojë se fanella e saj peshon më rëndë se çdo inat, intrigë, braktisje, pabesi apo çdo gjë tjetër që është prezentë në futbollin tonë. Nëse e fiton, skuadra bardheblu me siguri do të ngjitej në një stad tjetër dhe me moralin që merr, mund të shkelmojë njëherë e mirë rrezikun e rënies.
KRENARI – Të fitosh derbin është gjithnjë krenari më vete. Puna bëhet më e lehtë dhe kundërshtarët e tjerë të duken më të vegjël. Të paktën kështu ka qenë gjithnjë dhe me siguri ende vijon të jetë. Partizani kërkon të fitojë përballë tifozëve në shtëpinë e vet, ndërsa Tirana kërkon të mposhtë rivalin e përjetshëm në ndeshjen e parë në “Arenën e Demave”, që do të ishte një shpagim i madh për faktin që nuk fitojnë derbi prej më shumë se dy vitesh.
KONFIRMIM – Pozitat e Partizanit si favorit absolut për titullin kampion janë mjaft të lëkundura pas gjithë largimeve në merkaton e janarit dhe tre përballjeve të dobëta sa i përket lojës kundër Dinamos dhe Laçit. Një fitore kundër Tiranës në derbi përveçse do t’i jepte më shumë besim skuadrës, do të konfirmonte të kuqtë si pretendent ende kryesor për titullin. Synimi janë dy vendet e para, por barazimet e shumta po krijojnë hendek veçanërisht me Egnatian.
EMRA “TË PANJOHUR” – Sa i përket emrave, por edhe cilësisë, ky mund të jetë një nga derbet më të dobëta në vitet e fundit. Gjendja e Tiranës dihet dhe rezultatet flasin vetë, por edhe Partizani nuk është më si përpara. Të kuqtë në janar shitën lojtarët e vet kryesorë dhe emra me peshë për Superioren. Prurjet deri më tani nuk kanë mundur të tregojnë nivelin e të ikurve dhe rrjedhimisht mund të themi se cilësia ka rënë në të dyja krahët. Emra si Xhixha, Maget, Rrapaj apo Hasani tani janë thjesht një “ëndërr”.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL













