Skënderbeu “top”, e gjen Apoloninë të “sakatosur”. Korçarët kërkojnë tri pikët, bardhejeshilët në krizë
Java e 26-të e kampionatit e gjen Skënderbeun në transfertë, ku të shtunën, në orën 15:00, do të përballet me Apoloninë në stadiumin “Loni Papuçi”. Në letër duket një duel mes skuadrash me objektiva dhe forma të ndryshme, por pavarësisht diferencave, rëndësia e ndeshjes mbetet e madhe për të dy ekipet. Korçarët, që kryesojnë renditjen, janë të detyruar të synojnë vetëm fitoren për të ruajtur vendin e parë dhe për të mbajtur larg presionin e Laçit, i cili ndjek nga afër në tabelë.

Çdo hap fals në këtë fazë të sezonit mund të komplikojë situatën për “Ujqërit e Dëborës”, të cilët synojnë ngjitjen direkte në Superiore. Ndërkohë, Apolonia po kalon një nga momentet më të vështira të sezonit. Fierakët nuk e njohin fitoren prej 10 javësh dhe gjatë gjithë vitit 2026 kanë arritur të marrin vetëm dy pikë. Një bilanc alarmues që ka shtuar ndjeshëm presionin në kampin bardhejeshil. Situata bëhet edhe më delikate kur shikohet klasifikimi, pasi Apolonia ndodhet vetëm katër pikë larg vendit të 11-të, pozicion që të zbret direkt në Kategorinë e Dytë. Për fierakët është momenti për reflektim dhe reagim, në mënyrë që të shmangin përfshirjen në vorbullën e rënies nga kategoria. Si të mos mjaftonin rezultatet negative, Apolonia ka edhe probleme të tjera para kësaj sfide.
Përballë Skënderbeut, trajneri Marko Jovanoviç do të duhet të bëjë llogaritë me disa mungesa të rëndësishme. Portieri Leonard Kaçaj do të mungojë pas kartonit të kuq të marrë në fund të ndeshjes së fundit, ku fierakët u mposhtën 2-1 nga Laçi në transfertë. Po ashtu, sulmuesi Antoni Umejiego është i pezulluar për shkak të plotësimit të numrit katër të kartonëve të verdhë. Listës së mungesave i shtohet edhe mbrojtësi Erisildjo Asllanaj, i cili vazhdon të vuajë dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës pas një gjesti antisportiv në ndeshjen ndaj Pogradecit. Lajmi i vetëm pozitiv për fierakët është rikthimi nga pezullimi i mesfushorit Samir Arrojo.
Me një organikë të kufizuar dhe disa mungesa të rëndësishme, trajneri Jovanoviç pritet të ketë vështirësi në ndërtimin e formacionit për të përballuar një kundërshtar të fortë si Skënderbeu. Nga ana tjetër, korçarët vijnë në këtë transfertë në një moment shumë të mirë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka është në formë pozitive, grupi është i plotë dhe atmosfera në kampin bardhekuq është mjaft optimiste. Për Skënderbeun objektivi është i qartë, vazhdimësia e rezultateve dhe marrja e tri pikëve në Fier për të ruajtur kreun e renditjes.
PANORAMASPORT.AL













