Skënderbeu nuk e nënvlerëson Kupën, sot për të përsëritur veten në Elbasan
Skënderbeu riluan sot me Dinamon në Elbasan, por këtë herë për Kupën e Shqipërisë. Pritet një ndeshje po aq e luftuar sa ajo e javës së kaluar, ndërsa korçarët, edhe pse përparësi mund të kenë kampionatin, duan që ta vazhdojnë rrugëtimin edhe në këtë kompeticion.

Prandaj, që pas ndeshjes së fundit në kampionat, ata janë kthyer në Durrës, ku janë përgatitur për sfidën e sotme. Sigurisht, ndeshja e sotme me Dinamon ka specifikë tjetër nga ajo e kampionatit dhe trajneri Ernest Gjoka ka analizuar gjithçka me detaje për çfarë ndodhi të shtunën e kaluar. Trajneri i Skënderbeut ka evidentuar pikat e forta të kundërshtarit dhe gabimet që ka bërë ekipi i tij në atë 90-minutësh.
Gjoka mësohet se u ka kërkuar lojtarëve impenjim maksimal, edhe pse është ndeshje kupe. Duket se klubi juglindor ka ambicie edhe për këtë kompeticion, kështu që nuk do të ketë asnjë rezervim energjish për sfidat e kampionatit. Korçarët shpresojnë që të marrin sot një tjetër rezultat pozitiv ndaj kryeqytetasve, që pastaj në fushën e tyre të kenë më shumë shanse kualifikimi.
SITUATA – U mendua se Skënderbeu do të luante me disa ndryshime në formacion në ndeshjen e Kupës ndaj Dinamos, por objektivi i vendosur nga drejtuesit e klubit duket se i ka ndryshuar planet. Mund të ketë një rotacion të limituar nga ana e trajnerit Gjoka, i cili do të hedhë në fushë më të mirët që ka në dispozicion për momentin.

Edhe këtë herë do të mungojë Bismark, i cili nuk mund të luajë, pasi është i skualifikuar për shkak të dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës. Ai do të kthehet në ndeshjen e radhës në kampionat kundër Laçit. Nuk përjashtohet mundësia që në ndeshjen e sotme të ketë hapësirë për disa nga afrimet e fundit të merkatos, nëse trajneri Gjoka do të vlerësojë se ata janë gati për të luajtur.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL













