Skënderbeu me “gojën” e Erbim Fagut: Debreceni s’është Apoeli, e mposhtim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2012 | 14:03

Skënderbeu me “gojën” e Erbim Fagut: Debreceni s’është Apoeli, e mposhtim

Mbrojtësi Erbim Fagu beson te suksesi në takimin me Debrecenin në ndeshjen e parë evropiane. Sipas tij, hungarezët nuk janë Apoeli, ndaj ai nuk ia kanë aspak frikën. Në një prononcim të dhënë për gazetën lojtari flet për këtë sfidë, por edhe për të ardhmen, duke qenë se i përfundon kontrata. “Faza përgatitore po shkon shumë mirë. Ajo çka dua të theksoj, është fakti se jemi duke bërë stërvitje në kushte shumë të mira. Sigurisht që kemi bërë disa miqësore, të cilat mendoj se kanë ecur mirë dhe kemi treguar cilësi mjaft të mira në lojë. Megjithatë, kemi pësuar një humbje si ajo me Shahtjorin, por nuk duhet harruar se është një ekip shumë cilësor mbi të gjitha. E rëndësishme është se fryma në grup është mjaft e mirë dhe puna ka ecuri të mbarë që mendoj se do ndikojnë pozitivisht tek ajo për të cilën jemi duke punuar kaq fort. Ndeshja e 17 korrikut është, si të thuash, mendimi dhe synimi ynë kryesor për të dalë sa më mirë. Nuk është se e njohim shumë këtë kundërshtar. Tani jemi duke u njohur me kampionët hungarezë, një klub që ka investuar jo pak, por jemi duke parë dhe disa ndeshje të tyre në internet. Unë besoj se në Korçë do të shkëlqejmë dhe objektivi ynë është i qartë, ashtu sikurse mundësia për t’ia arritur është e madhe”, – tha mbrojtësi. Lojtari e ka mbyllur dhe vitin e dytë me juglindorët duke fituar dy tituj rresht me këtë skuadër. E nëse Fagut do t’i kërkohet të qëndrojë në Korçë, ai pohon se do t’i thotë menjëherë “po” një ftese të tillë. “Si të gjithë lojtarët e tjerë dhe unë pres të përfundojmë ndeshjet evropiane dhe më pas të ulem të bisedoj me presidentin, për të folur për sezonin e ardhshëm”, – përfundoi lojtari.

Korçarët, tifo për Italinë në “zemrën” gjermane
Lojtarët e Skënderbeut kanë festuar për Italinë në një vend që kishte vetëm tifozë gjermanë, edhe pse ndodheshin në Austri. Pjesa dërrmuese e futbollistëve korçarë ishin fanatikë të “axurrëve”, ndonëse tek-tuk mund të kishte edhe ndonjë mbështetës të “pancerave”. Pasi kishin zhvilluar një seancë realisht të ngarkuar stërvitore, mbrëmja i është kushtuar sërish futbollit, por këtë herë atij evropian. Adrenalina arriti majat dhe sigurisht gëzimi në fund iu rezervuar tifozëve të kaltër, teksa me dy golat e Balotelit arritën në finale. Dëshira e bardhekuqtë tashmë është që të njëjtin sukses të arrijnë edhe ata më 5 korrik, teksa do të ndeshen me Debreçenin në stadiumin “Skënderbeu”.

ATMOSFERA
Në një kohë kur në kryeqytet është përcaktuar kalendari për sezonin 2012-2013, vëmendja e korçarëve është e përqendruar te Liga e Kampionëve. E kësisoj, 23 lojtarët që gjenden në Austri janë të gjithë të vëmendshëm të ndjekin udhëzimet e trajnerit Levi. Ata synojnë që, përveç një paraqitjeje të mirë në Evropë, pse jo të fitojnë një vend me Skënderbeun edhe për një edicion. Kjo dëshirë nuk fshihet nga askush prej futbollistëve që iu mbaron kontrata menjëherë pas këtij kompeticioni.
Albana Çakshiri