Situata mes Tiranës dhe trajnerit Shkëmbi, kleçkat fshihen te kontrata (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2025 | 14:06

Situata mes Tiranës dhe trajnerit Shkëmbi, kleçkat fshihen te kontrata (E PLOTË)

Tirana dhe Bledi Sh këmbi kanë marrë pushimet. Secila palë po relaksohet pas një sezoni që i mbajti deri në fundi në ankth, por qetësia është në dukje. Tej të gjithave, çështja e lojtarëve dhe e trajnerit, nëse do të konfirmohet apo jo Bledi Shkëmbi, ka një datë.

shkembi

Tirana e re pritet të ravijëzohet nga 10 qershori e në vazhdim. Burime në klub bëjnë me dije se deri në atë datë, presidenti Refik Halili nuk do të bëjë asnjë lëvizje. Më pas, bardheblutë do të ndajnë gjërat me lojtarët aktualë dhe do të shohin për sezonin e ri.

Po kështu, në këtë datë do të flitet për trajnerin. Pengesa kryesore është kontrata e Shkëmbit me Tiranën. Nëse kjo e fundit e shkarkon korçarin, atëherë ajo duhet t’i paguajë dyfishin e kontratës, pra, dy vite punë. Me kthimin e Shkëmbit si bardheblu, ky i fundit vuri një klauzolë mbrojtjeje që aktivizohet në rast shkarkimi. Të shohim se çfarë do të ndodhë, por Tirana ka nisur revolucionin për sezonin e ri ku zyrtarizoi largimin e Agim Ibraimit nga detyra e drejtorit sportiv. Pasuesi i tij pritet të jetë Tefik Osmani, që do të ndërtojë skuadrën.

SHIFRAT – Nëse në sezonin 2016- 2017 Tirana grumbulloi 39 pikë dhe ra nga Superiorja, të njëjtën gjë bëri edhe këtë sezon. Mori vetëm 39 pikë, por e rrezikoi kategorinë, duke shpëtuar nga sfida “play out”. Nga sezoni i fundit, Tirana është 11 pikë më pak, ndërsa nga dy sezone më parë, 28 pikë. Për të mos folur për vitet e titullit, respektivisht 34 dhe 31 pikë. Asnjëherë që prej kthimit në kategori, Tirana nuk kishte marrë kaq pak pikë. Edhe në dy kampionatet që nuk ka shkuar në Europë, ka grumbulluar 47 dhe 58 pikë, çka tregon se shifrat kanë qenë shumë të dobëta dhe kjo skuadër ka zhgënjyer plotësisht.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL