Siner shkon me forcë në finale, Xhokoviç dorëzohet me 3 sete

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2026 | 17:17

Siner shkon me forcë në finale, Xhokoviç dorëzohet me 3 sete

Janik Siner vazhdon të shkruajë historinë e tenisit. Numri 1 i botës është kualifikuar në finalen e turneut Grand Slam të Uimbëlldonit, pasi mposhti bindshëm Novak Xhokoviçin me rezultatin 6-4, 6- 4, 6-4, në një ndeshje që zgjati pak më shumë se dy orë. Italiani zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke dominuar serbin në çdo aspekt të lojës. Shërbimi, pritja, “forehand”-i dhe “backhand”-i i Sinerit funksionuan në mënyrë perfekte, ndërsa Xhokoviç nuk gjeti asnjë zgjidhje për të frenuar ritmin e kundërshtarit.

Screenshot 2026-07-11 171659

Seti i parë u vendos nga një “break” në lojën e nëntë, ndërsa në të dytin Siner goditi sërish në momentin vendimtar, duke marrë kontrollin e plotë të takimit. Në setin e tretë ai realizoi menjëherë një tjetër “break”, duke mos i dhënë asnjë mundësi rikthimi kampionit serb. “Është bukur të rikthehesh në finale, ky turne është i veçantë. Duhej ta ngrija nivelin e lojës dhe ia dola. Novak është një frymëzim.

U përpoqa të luaja në mënyrë agresive dhe të shërbeja mirë. Me të, ndeshjet janë gjithmonë shumë të luftuara, siç ndodhi edhe në gjysmëfinalen në Australi. Këtu u përpoqa të përshtatesha me rrethanat, pasi ai vinte pas një ndeshjeje shumë të vështirë kundër Auger-Aliasim”, deklaroi ndër të tjera tenisti italian pas triumfit në gjysmëfinale. Pas suksesit të vitit të kaluar, Siner do të ketë mundësinë të mbrojë titullin në Uimbëlldon.

Kjo është finalja e shtatë Grand Slam në karrierën e tij dhe e dyta radhazi në turneun londinez, një arritje historike për tenisin italian. Në finalen e së dielës, takim që nis në orën 15:00, numri 1 i botës do të përballet me Aleksandër Zverev, i cili siguroi kualifikimin pasi mposhti britanikun Artur Feri në tre sete, 7-6, 6-2, 6-4, pa një ndeshjeje që zgjati 2 orë e 15 minuta. Për sa i përket finales, bilanci mes dy tenistëve është dukshëm në favor të Sinerit.

Që nga “US Open 2023”, italiani ka fituar nëntë ndeshje radhazi ndaj Zverevit, duke humbur vetëm dy sete në të gjitha përballjet. Megjithatë, finalja pritet me shumë interes, pasi Zverev vjen në Londër me vetëbesim të lartë pas triumfit në “Roland Garros”. Dy tenistët më të mirë të momentit do të luftojnë për trofeun prestigjioz “Ëimbledon 2026” në një duel që premton spektakël dhe tenis të nivelit më të lartë.

Screenshot 2026-07-11 171612

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL