EKSKLUZIVE/ FSHF bën prapakthehu me të huajt, amnisti për klubet e mbipopulluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2026 | 18:47

EKSKLUZIVE/ FSHF bën prapakthehu me të huajt, amnisti për klubet e mbipopulluar

FSHF bën prapakthehu me të huajt, amnisti për klubet në sezonin e ri. Pas kufizimit të lojtarëve të huaj, Federata lehtëson rregullin për një vit. Nga sezoni 2027-2028 kufizimet do të zbatohen plotësisht. Federata Shqiptare e Futbollit dhe Komiteti Ekzekutiv kanë vendosur të ndërmarrin një reformë të thellë në futbollin shqiptar. Duke nisur nga sezoni 2027-2028, kampionatet do të ndryshojnë strukturë dhe do të zgjerohen, ndërsa edicioni 2026- 2027 do të shërbejë si sezon tranzicioni, duke rritur numrin e skuadrave që do të ngjiten në një kategori më të lartë.

fshf

Një nga vendimet më të rëndësishme lidhet me numrin e futbollistëve të huaj që do të lejohen të aktivizohen në fushë. Pas liberalizimit të plotë të sezonit të kaluar, kur klubet mund të zbrisnin në fushë edhe me 11 lojtarë të huaj njëkohësisht, FSHF ka vendosur të rikthejë kufizimet, me argumentin se prania e madhe e futbollistëve të huaj po pengonte zhvillimin dhe promovimin e lojtarëve shqiptarë.

Fenomeni u vu re jo vetëm në futbollin e të rriturve, por edhe në kampionatet e moshave, duke ngritur shqetësime për të ardhmen e talentëve vendas. Sipas rregullit të ri, nga sezoni 2026- 2027 klubet e Kategorisë Superiore” do të mund të aktivizojnë maksimalisht shtatë futbollistë të huaj njëkohësisht në fushë, ndërsa në Kategorinë e Parë ky limit pritet të jetë pesë. Megjithatë, ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e klubeve, të cilat kanë ende nën kontratë një numër të madh futbollistësh të huaj, të afruar gjatë sezonit të kaluar ose të firmosur përpara se të iniciohej rregulli i ri. Kufizimi i menjëhershëm do të sillte pasoja financiare dhe sportive për këto skuadra.

AMNISTIA

Për këtë arsye, “Panorama Sport” mëson se FSHF ka vendosur të aplikojë një masë kalimtare, duke u dhënë klubeve një lloj amnistie vetëm për sezonin 2026-2027. Sipas këtij vendimi, klubet që kanë një numër më të madh futbollistësh të huaj nën kontratë do të përfitojnë një përjashtim të përkohshëm. Në Superiore, tavani do të rritet nga shtatë në nëntë futbollistë të huaj që mund të aktivizohen njëkohësisht në fushë.

Ky lehtësim do të vlejë vetëm për sezonin e ardhshëm, ndërsa duke nisur nga edicioni 2027- 2028 rregulli i ri do të zbatohet në mënyrë të plotë dhe pa përjashtime. Ky vendim u jep klubeve kohën e nevojshme për të ristrukturuar organikën e tyre dhe për të shmangur penalizimet ekonomike që do të sillte prishja e kontratave me futbollistët e huaj. Në të njëjtën kohë, klubet do të detyrohen të ndryshojnë strategjinë e merkatos, duke u fokusuar më shumë te cilësia sesa te numri i futbollistëve të huaj dhe duke investuar më shumë te elementët vendas, të cilët pritet të kenë më shumë hapësira në sezonet e ardhshme. Reforma e FSHFsë synon të rikthejë ekuilibrin mes futbollistëve vendas dhe atyre të huaj, duke e bërë sezonin 2026-2027 një vit tranzicioni, ndërsa ndryshimet e plota do të hyjnë në fuqi nga kampionati 2027-2028.

PANORAMASPORT.AL