Shumë e majme që në fillim të janarit, 180 mijë euro për Tiranën e Superiores
Tirana do të përfitojë 180 mijë euro nga programi i posaçëm i mbështetjes financiare që ka miratuar Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit për klubet profesioniste. Ky fond, me një vlerë totale prej 3 milionë eurosh për vitin 2026, është dedikuar për klubet pjesëmarrëse në Superiore dhe Kategorinë e Parë.
Vendimi është pjesë e angazhimit të marrë nga FSHF-ja në Asamblenë e Përgjithshme dhe ka si qëllim forcimin e qëndrueshmërisë financiare të sistemit futbollistik në vend. Përmirësimi i ndjeshëm i gjendjes financiare të federatës, falë sukseseve sportive, rritjes së të ardhurave komerciale dhe menaxhimit më efikas të kostove, ka krijuar mundësinë që një pjesë e këtyre të ardhurave të rikthehet drejtpërdrejt te klubet.
Sipas programit të miratuar, çdo klub i Superiores do të përfitojë 180 mijë euro, çka për Tiranën përbën një ndihmë të rëndësishme në një periudhë ristrukturimi dhe planifikimi për sezonin e ardhshëm. Kjo mbështetje pritet të ndikojë pozitivisht në stabilitetin financiar të klubit dhe në ndërtimin e skuadrës për objektivat e radhës. Programi i FSHF-së shihet si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit shqiptar, duke u dhënë klubeve më shumë siguri financiare dhe mundësi për rritje konkurruese.
NISMA – Shpërndarja e fondit do të realizohet në dy faza, në përputhje me fazat sportive të kampionateve, faza e dytë e sezonit 2025–26 dhe faza e parë e sezonit 2026– 27. Ndarja bazohet vetëm në kategorinë ku luan klubi, jo në renditjen sportive, dhe bëhet në mënyrë të barabartë brenda secilës kategori. Klubet e Superiores përfitojnë një shumë më të lartë krahasuar me ato të Kategorisë së Parë, në përpjesëtim me kostot më të larta sportive dhe organizative në këtë nivel.
Fondet do të lëvrohen në dy këste, ku pjesa e parë do të shpërndahet në fillim të vitit 2026 për të mbështetur likuiditetin dhe planifikimin e klubeve për pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa kësti i dytë pas përfundimit të sezonit 2025–26 dhe përcaktimit të strukturës së kampionateve për sezonin 2026–27. Programi synon të krijojë një mekanizëm të qartë, transparent dhe të qëndrueshëm për mbështetjen financiare të klubeve, duke forcuar stabilitetin e tyre dhe partneritetin mes FSHF-së dhe klubeve mbi parimet e solidaritetit dhe menaxhimit të mirë financiar. Shpërndarja e këtij fondi për klubet do të nisë zyrtarisht në janar 2026.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













