Shpërbëhet Flamurtari, pak emra mbijetojnë nga “fshesa” e verës
Flamurtari po kalon një periudhë ndryshimesh rrënjësore. Ndërsa vijojnë diskutimet për emërimin e trajnerit të ri, klubi kuqezi ka hyrë në një tjetër fazë vendimtare: rindërtimin e skuadrës.

Data 31 maj ka shënuar praktikisht fundin e sezonit për futbollistët e Flamurtarit. Pas përfundimit të kontratave dhe angazhimeve sportive, lojtarët janë shpërndarë dhe kanë nisur pushimet verore. Megjithatë, për një pjesë të madhe të grupit aktual, aventura me fanellën kuqezi duket se ka marrë fund. Drejtuesit e klubit po përgatisin një projekt të ri për sezonin e ardhshëm, me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese që të rikthejë Flamurtarin në elitën e futbollit shqiptar.
Sipas burimeve pranë klubit, vetëm një numër i kufizuar lojtarësh mund të mbeten pjesë e planeve për sezonin e ri. Vlerësohet se rreth 20 për qind e grupit aktual ka shanse të rikthehet kur të nisë zyrtarisht ndërtimi i ekipit. Pjesa tjetër pritet të kërkojë destinacione të reja, ndërsa drejtuesit do të fokusohen te afrimet cilësore dhe ndërtimi i një skuadre me më shumë stabilitet dhe potencial për të dominuar në Kategorinë e Parë. Vera sapo ka nisur, por në Vlorë duket se revolucioni është tashmë në lëvizje.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL













