Shkëmbi: Të mos na rritet mendja, mundim Skënderbeun. Nuk më pëlqen të paragjykoj asnjë ndeshje
Bledi Shkëmbi u shfaq i lumtur pas ndeshjes së fituar me Partizanin.
Pas tri tentativash, bardheblutë kanë triumfuar 3-0. Në një intervistë pas ndeshjes, Shkëmbi foli për triumfin në lojë, por edhe çfarë bëri skuadra ndryshe në këtë lojë. Korçari paralajmëroi se ndaj Skënderbeut gjërat do të jenë ndryshe dhe Tirana duhet të jetë e përqendruar për të marrë pikët e plota, që t’i shpëtojë rënies nga kategoria.
Shkëmbi, Tirana nuk fitonte në derbi prej tetorit 2022. Si ndiheni që jeni trajneri që thyeni këtë ters?
Ndihem jashtëzakonisht mirë. Është fantastike, sepse kam fituar derbin. Situatën e kam ndier që në derbin e parë. Po derbin e ndien në përgjithësi dhe situatën në veçanti e kanë ndier lojtarët, unë, klubi. Do të doja që kjo fitore të ishte për klubin, për tifozët. E doja që kjo fitore të vinte më shpejt, që në sfidën që ne luajtëm në “Arenën e Demave”. Kemi qenë pranë për ta fituar atë ndeshje. Pas kësaj fitoreje, ndihem shumë i gëzuar për të gjithë. Ky gëzim të zgjasë pak. Këtë ua kam thënë edhe futbollistëve në fund të takimit se nuk ka përfunduar se fituam derbin. Shumë të rëndësishme ishin 3 pikët ndaj Partizanit, por asgjë s’ka mbaruar, sepse jemi në një situatë jo të mirë dhe duhet të vazhdojmë të bëjmë mirë atë që bëmë.
Zharmuni ishte fantastik, ndërsa pamë edhe një mesfushë solide. Cili ishte çelësi i fitores në derbi?
Unë mendoj se çelësi i suksesit në derbi ishte besimi që pati skuadra në momentin që shënoi golin. Kemi qenë shumë ndeshje në avantazh dhe çuditërisht skuadra çedonte në mënyrën se si menaxhonte lojën. Humbte besimin, përqendrimin. Dhe në derbi mendoj se kjo bëri ndryshimin.
Ju vinit nga një rezultat jo i mirë, po çfarë bëtë gjatë javës që kjo skuadër të ndryshonte në fushën e lojës?
Nuk është se është bërë ndonjë gjë e madhe. I gjithë klubi, stafi, kemi folur shumë me djemtë për anën psikologjike për vlerësimin e situatës, momentit dhe sigurisht të derbit. Kjo nuk diskutohet. Ndoshta ishim në momentin e duhur psikologjik që kishim besim se mund ta mundnim kundërshtarin. Nga ana tjetër, ka një logjikë, që, paçka se jemi në vendin e fundit, nuk kemi luajtur keq. Trajneri dhe lojtarët mendoj se kanë pasur mundësinë për të bërë më mirë dhe për të marrë më shumë pikë.
Shkëmbi, ju mbeten edhe tri ndeshje deri në fund të kampionatit. Shtohet presioni për Tiranën?
Unë mendoj që është normale që të shtohet presioni. Morëm tri pikë, jemi ngjitur më lart, por shohim takimin e radhës me një kundërshtar shumë të fortë dhe që luan mirë futboll. Ende kemi disa ditë që të përgatitemi në mënyrën e duhur.
Nëse nuk do të ishit shkëputur në mes të sezonit nga Tirana, a mendoni se skuadra do të ishte në pozita të tjera?
Në jetë dhe në futboll, për të qenë i sinqertë, nuk mendoj për diçka me “nëse” apo “nëse” do të kisha qenë unë. Them se mund të kishte qenë ndryshe dhe më keq. Nga ana tjetër, jam i detyruar të mendoj pozitivisht, sepse mund të ishte bërë më mirë, për të vetmen arsye se isha trajneri që e ndërtova ekipin.
Do t’i linit dy gola të derbit për ndeshjet në vazhdim?
Nëse do ta dija që ndeshjet i fitoja 1-0, jam dakord menjëherë.
Çfarë mendoni për aleancat që përfliten?
E thashë edhe para ndeshjes: mua nuk më pëlqen të paragjykoj asnjë ndeshje dhe askënd. Mua nuk më pëlqen që skuadra jonë nuk ka bërë më të mirën. Unë merrem me ekipin tim. Nëse do të kishim fituar ndeshjet tona si ndaj Partizanit, të tjerët të bënin ç’të donin. S’ka pse të gjykojmë apo të paragjykojmë të tjerët.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













