Shkëlqimi i Isgandarlit, azeri barazon Tomën
Viti 2026 duket se ka zgjuar Vusal Isgandarli te Partizani. Sulmuesi ka gjetur një formë fizike shumë të kënaqshme, teksa pas Vitit të Ri, azerbaxhanasi ka gjetur rrugën e rrjetës në dy raste. Në fitoren 2-0 në derbin ndaj Tiranës, si dhe në barazimin 2-2 ndaj Elbasanit në kampionat.

Falë këtyre dy golave, Isgandarli është barazuar me Rrok Tomën në shifrën e pesë golave në kampionat për Partizanin (golashënuesit më të mirë të skuadrës në kampionat), teksa nga një më pak se dyshja e sipërpërmendur kanë shënuar Kontreras e Sidibe, ndërsa në kuotën e tre golave është Xhuliano Skuka.
Megjithatë, më shumë se sa golat, sulmuesi azer po spikat me kontributin e tij në krahun e majtë, teksa e ndihmon skuadrën në fazën mbrojtëse dhe sulmuese, dhe, siç u theksua më lart, po kalon një formë mjaft të mirë fizike. 30- vjeçari, falë sakrificës në fushë, në ndeshjet e fundit ka marrë edhe mbështetjen e tifozërisë së kuqe, që nuk i kanë kursyer duartrokitjet në drejtimin e tij. Edhe trajneri Oltijon Kërnaja i ka dhënë mjaftueshëm besim Isgandarlit, që është një titullar i padiskutueshëm për kryeqytetasit.
PANORAMASPORT.AL













