Shensoj sfidon ish-ekipin, Bylis dhe Laçi do të përballen në Kupën e Shqipërisë
Sfida e 1/8 të Kupës së Shqipërisë, me Laçin po afron, ndërsa ballshiotët janë të fokusuar në kalimin e turit, pasi Kupa është një nga objektivat e klubit bardhekuq.

Nga ana tjetër, trajneri Mirel Josa bashkë me stafin po mendon për formacionin që do të hedhë në fushë ndaj kurbinasve, sepse në Ballsh këtë duel e kanë vlerësuar, aq më tepër që luajnë me një nga pretendentët kryesorë të së Parës për Superioren dhe që në krye kanë një trajner me eksperiencë dhe që Bylisin e ka trajnuar tri herë, si Naxhi Shensoj. Ndaj edhe sfida e së shtunës në Ballsh pritet që të jetë mjaft interesante.
Për këtë duel edhe trajneri Mirel Josa pritet që të mos kursejë asnjë nga titullarët e tij, ndonëse vetëm pak ditë më vonë e pret një betejë mjaft e vështirë me Tiranën në kampionat. Deri më tani nuk ka asnjë zyrtarizim, për afrime ose largime në Ballsh. Madje, në stërvitje kanë qenë të gjithë lojtarët, ndërsa flitet për disa huazime në ekipe të së Parës. Luftëtari ka “kërkuar përforcime nga Bylisi, por edhe ekipe të tjera të së Dytës dhe së Parës, por do të vendosë presidenca mallakastriote, në konsultë edhe me stafin teknik, në varësi të nevojiten të skuadrës së parë dhe ekipit b, për pjesën e mbetur të garës dhe synimet e dy ekipeve. Në Ballsh janë 70 lojtarë, si pjesë e skuadrës së parë ekipit B dhe U-19. Me përforcimet që do të vijnë, për ekipet A dhe B, organika do të mbipopullohet, ndaj edhe klubi ka menduar që të huazojë lojtarët të cilët janë të rinj, por që nuk janë në plane për vijimin e garës.
Ndërkohë që pavarësisht shirave, të dyja terrenet në qytetin e Ballshit kanë qenë në gjendje mjaft të mirë. Skuadra është stërvitur në kompleks, në tapetin me bar artificial, pasi kërkon që të ruajë fushën për ndeshjen e së shtunës në mesditë. Punëtorët e mirëmbajtjes janë duke i qëndruar në okë fushës së stadiumit, duke qenë se në këtë periudhë reshjet janë të shumta, por do të ketë një ngjeshje të ndeshjeve, e për më tepër tri takime radhazi në shtëpi. Ndaj edhe ballshiotët duhet që të shfrytëzojnë këtë mundësi duke besuar tek kalendari që i favorizon edhe pse dy sfida i luan me rivale direkt në betejën e mbijetesës.
PANORAMASPORT.AL













