Shënoi golin e fitores ndaj Skënderbeut, zbulimi Përgjoni: Jam në “qiellin e shtatë”, Bylisin quajeni surpriza e Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2025 | 23:30

Shënoi golin e fitores ndaj Skënderbeut, zbulimi Përgjoni: Jam në “qiellin e shtatë”, Bylisin quajeni surpriza e Superiores

Bylisi ia doli që të tregojë “dhëmbët” në një duel me një rival direkt si Skënderbeu, në stadiumin “Skënderbeu”, ku mallakastriotët triumfuan dhe morën 3 pikë duke shmangur jo vetëm ndeshjen shtesë, por edhe duke mbijetuar direkt në elitë.

pergjoni

Golat e Mustafa Ibrahimit, si dhe Arli Përgjonit, i dhanë 3 pikët jetike Bylisit, që shpërtheu në festë në fund të sfidës, bashkë edhe me 100 tifozë që udhëtuan nga Ballshi drejt “qytetit të serenatave”. Mallakastriotët treguan se dinë të luajnë mirë jashtë fushe, madje motivohen më shumë në ndeshje delikate dhe tregues janë rezultatet.

Skuadra ka festuar pas sfidës, ndërsa një nga më të mirët në fushë, në duelin e Korçës ka qenë mesfushori me tipare sulmuese, zbulimi këtij sezoni, Arli Përgjoni, 23-vjeçari që shënoi golin e dytë, duke u dhënë 3 pikët mallakastriotëve në transfertën e sezonit. Shtatlarti erdhi në Ballsh nga Besëlidhja, zuri një vend titullari dhe u bë një nga zbulimet e Bylisit dhe Superiores. Arli Përgjoni, në një prononcim që ka dhënë për “Panorama Sport”, flet për paraqitjen mbresëlënëse që ai dhe skuadra bënë në Korçë, në ndeshjen e sezonit.

“Jam shumë i lumtur për fitoren që erdhi në sajë të një paraqitjeje të mrekullueshme që ne bëmë në transfertën korçare, madje kemi shpërdoruar edhe 2-3 raste të sigurta për gol. E dominuam Skënderbeun, treguam se Bylisi nuk e meritonte që të binte nga elita. Jemi një ekip me kualitete dhe djem të rinj, vendës dhe të huaj që luajnë me shumë dëshirë. E kemi treguar gjatë garës dhe e treguam edhe në ndeshjen vendimtare.

Pa frikë, e them me bindje se në Superiore, jemi skuadra që luajmë futbollin më të bukur dhe ‘fair-play’. Jam shumë i gëzuar që eksperienca ime në Superiore shpërblehet në mënyrën më të mirë, madje duke qenë titullar thuajse në të gjitha ndeshjet, por edhe duke shënuar gola të rëndësishëm që vlejnë shumë në fund”, tha mesfushori shtatlartë, Arli Përgjoni. Më tej, lezhjani i Bylisit shton se: “Çdo lojtar gëzohet më shumë kur shënon skuadra sesa kur shënon vetë.

PERGJONI

Në ndeshjen e Korçës më ka shijuar shumë goli, sepse i dha fitoren Bylisit, në një ndeshje që unë personalisht, por edhe i gjithë ekipi dhe qyteti do e mbajnë mend gjatë. Ballshi e do futbollin, jemi shumë të respektuar dhe kur hymë në fushë në nxehje para ndeshjes dhe dëgjonim tifozët tanë që na jepnin kurajë, shtrënguam edhe më shumë dhëmbët.

Ia dolëm të gjithë së bashku, kështu që të festojmë këtë moment, e më pas të diskutojmë për Bylisin e së ardhmes. Jam i realizuar dhe falënderoj presidentin Besnik Kapllanaj dhe trajnerët që kam punuar këtë sezon, por edhe tifozët në Ballsh, që kanë qenë aleati ynë më i mirë. Me pak kujdes mund të ishim edhe më lart, por ky Bylis ka qenë surpriza e bukur e Superiores këtë sezon”, ka pohuar në fund, Arli Përgjoni, mesfushori me tipare sulmuese i skuadrës mallakastriote.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL