Sekretet e “samurajit” Fukui: Nuk jam normal
Masato Fukui, një “samuraji” për Tiranën. Nuk është japonezi i parë që shkel në tokën shqiptare për të luajtur futboll, por ndoshta është ai që po lë gjurmë. Madje, e quan veten “jonormal”, për shkak të stilit të jetës dhe “fiksimit” për të ngjyrosur flokët.
Sulmuesi “biond” i bardhebluve, në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”, rrëfen jetën e tij, nga fëmijëria dhe deri te vendimi për të lënë Azinë për Europën.
Një fëmijëri e mbushur plot ëndrra dhe pasione, që 27-vjeçari nuk ngurron që t’i zbulojë, edhe pse me shumë vështirësi, për shkak të një anglishteje të cunguar. Por, dëshira e tij për t’u treguar shqiptarëve botën e një aziatiku ishte më e madhe se gjithçka.
Kush është Masato?
Kam lindur në Japoni, në një qytet të vogël që quhet Totori. Kam dy vëllezër më të mëdhenj se vetja. Kam pasur një fëmijëri të lumtur dhe plot ëndrra, si çdo fëmijë. Por, sigurisht që dëshira më e madhe ka qenë të bëhesha futbollist profesionist dhe ia kam arritur besoj.
Kur e keni nisur futbollin, në çfarë moshe?
Në mos gaboj 8 apo 9 vjeç e kam nisur futbollin, me një ekip të vogël që quhej Umbigo FC.
Çfarë arsimimi keni, pasi në media thuhet se jeni inxhinier?
Jo, inxhinier. Në fakt, kam mbaruar arkitekturën. Por, ende nuk jam liçencuar. S’e kam kaluar akoma testin final, që të kem të drejtën që të jem profesionit në këtë profil.
E mendoni që në një të ardhme të lini futbollin për arkitekturën, pra të licencoheni?
Jam në kohë, mund ta bëj kur të dua. Por, tani nuk kam nerva. Në fakt, është edhe test shumë i vështirë. Në një ardhme ndoshta mund t’i futem, por për momentin mendoj vetëm futbollin.
Përse e latë jetesën në Azi dhe u transferuat në Europë, në Mal të Zi konkretisht?
Shumë e thjeshtë. Duke qenë se futbolli është jeta ime, vendosa që të luaja në një kampionat më të mirë dhe më profesionist sigurisht. Kjo është arsyeja e vetme.
Çfarë niveli jetese ka Japonia, nëse do ta krahasonit me Malin e Zi apo edhe Shqipërinë?
Është shumë e lehtë, pasi nëse e do diçka mund ta arrish me lehtësi. Jeta është shumë e shtrenjtë atje, por nëse ke një punë të mirë dhe rroga rrjedhimisht do të jetë e lartë. Por, edhe Shqipëria nuk është më pak e kushtueshme, pasi këtu është shumë shtrenjtë. Megjithatë, ushqimi është i lirë. Ndërsa në Mal të Zi është pak a shumë si me Shqipërinë, por është më shumë qytet për të jetuar.
E gjetët ju Europën, apo Europa juve?
Unë e gjeta Europën besoj. Kjo, pasi e vendosa me vetëdije të plotë që të ndërroja kontinentin.
Si ishte dita e parë e Masatos si “europian”?
Mirë mund të them. Fillimi ishte disi i vështirë, pasi ndryshova totalisht ambient.
Ka diferenca mes Azisë dhe Europës, na tregoni diçka më shumë?
Unë të paktën kam kuptuar që ka diferencë te njerëzit. Janë shumë miqësorë, të qeshur. Ndoshta pasi në Mal të Zi dhe Shqipëri nuk ka shumë japonezë dhe të gjithë të shohin çuditshëm.
Flokët tuaja na bëjnë gjithnjë përshtypje, shumë të kuruara dhe gjithnjë të lyera…
(Qesh) Është pasioni im. Në Japoni “luajnë” shumë me ngjyrat, ashtu si edhe unë. Por, edhe japonezët të shohin çuditshëm.
Po atëherë, përse kjo zgjedhje?
Dua që ta jap një shpjegim: unë nuk dua të jem normal.
Keni gjetur stilistin e duhur për flokët në kryeqytet, apo merreni vetë?
Jo, jo. Shkoj në një qendër estetike që ma kanë sugjeruar miqtë e mi (ndërkohë nxjerr nga portofoli kartëvizitën e qendrës estetike për ta na e demonstruar më lehtë).
Në Shqipëri kur përmendim Japoninë, na shkon në mendje te “samurajët”. Çfarë është një “samuraji”?
Është një luftëtar, apo ushtarak fisnik, i kohës së mesjetës. Ju keni Skënderbeun, heroi juaj kombëtar, ndërsa ne kemi “samurajët”. Në mesjetë çdo qytet në Japoni kanë qenë në luftë mes tyre dhe në krye të bazës ushtarake ishte një samuraji.
Keni përdorur ndonjëherë shpatë?
Quhet “Katana”, është shpata tradicionale e Japonisë feudale. E di se çfarë është, por nuk e kam përdorur kurrë. Megjithatë, njerëzit normalë nuk e përdorin “Katanën”, thjesht e njohin dhe kaq. Tashmë atë mund ta gjesh vetëm nëpër muzeume. Është vetëm një relike.
Kur zbarkuat në Shqipëri, çfarë ju bëri përshtypje fillimisht?
Impakti i parë ishte pozitiv, ka shumë femra të bukura. Jeni njerëz shumë, po shumë miqësorë.
Meqenëse keni mbaruar shkollën për arkitekturë, çfarë do t’i ndryshonit Tiranës?
Nuk keni ndërtesa të larta, grataçela. Keni edhe shumë ndërtesa të vjetra, që nuk më pëlqejnë (kthen vështrimin te një pallat aty pranë dhe e demonstron). Por, në fakt, nuk është se janë vetëm këtu, pasi edhe Japoni nuk mungojnë.
Po infrastruktura rrugore, si ju duket?
Rrugët janë të vogla dhe, dashur pa dashur, krijojnë trafik. Edhe pse Japonia është vend më i madh, mendoj se këtu krijohet më shumë trafik. Por, këtu e krijojnë njerëzit trafikun. Nuk u japin mirë makinave ndoshta, ose nuk zbatojnë sinjalistikën. Problemi është që këtu parkohet vend e pavend, madje në të dyja anët e rrugëve, duke krijuar konfuzion.
Cila është gjëja më e çuditshme që keni vënë re në kryeqytet?
Shumë kafene dhe shumë njerëz nëpër kafe. E çuditshme në fakt, por mendoj se kjo vjen prej papunësisë.
Po ushqimi si ju duket, cila ka qenë pjata e parë që keni provuar?
I mirë, me sa kujtoj ka qenë biftek. Dhe më ka shijuar.
Ushqimin tradicional shqiptar e keni provuar?
Nuk e di cili është ushqimi juaj tradicional. Por, konsumoj ato që mua më shijojnë. Makarona, oriz, supë dhe sallatë. Më pëlqejnë shumë produktet e detit.
Na tregoni pak për ushqimet japoneze, cilat janë më tradicionalet?
“Sushi”, që besoj e njihni edhe ju. “Tempura”, një pjatë me produkte deti, mishi ose perime.
Po pijet, çfarë konsumon më shumë një japonez?
Ju keni rakinë me sa di, e njëjta gjë dhe në Mal të Zi me sa kujtoj. Ne kemi “Soshu”, pije alkoolike, si dhe “Nihongshu”. Unë vetë nuk e pëlqej alkoolin në fakt. Nuk e konsumoj.
OK, alkoolin nuk e pini, po me jetën e natës si e keni marrëdhënien?
Në Shqipëri nuk kam dalë fare. Më pëlqen në fakt jeta e natës, por nuk dua që të abuzoj. Kjo është zgjedhja ime, pasi kam vendosur që të jem futbollist i Tiranës, ndaj ia kam kufizuar vetes këtë kënaqësi për të mbajtur regjim.
Çfarë keni vizituar deri më tani në kryeqytet?
E di se ku është “Skënderbeu”, e kam parë kur kaloj në qendër. Kam vizituar qendrat tregtare. Jo shumë në fakt, e sigurisht edhe kafenetë i njoh (qesh).
Gjëja më e shëmtuar që keni parë në Shqipëri dhe më e bukura, përveç femrave sigurisht?
(Qesh) Trafiku, sikundër e përmenda më lart, nuk më pëlqen aspak. Ndërsa gjëja që më pëlqen më shumë lidhet me tifozët. Dhe nuk flas vetëm për atmosferën që bëhet në stadium, por për atë që kam hasur në rrugë. Kur jam duke ecur, shumë njerëz më ndalin dhe më thonë: “unë jam ‘Fanatics'”. Kjo, ka ndodhur shpesh. Më ka bërë të ndihem mirë.
I martuar apo beqar?
As i martuar dhe as i fejuar, jam në kërkim (qesh). Pse jo, edhe në Shqipëri.
A keni krijuar shoqëri, a keni shoqe në Shqipëri?
Kam njohje, por jo shoqe.
Çfarë ju bën përshtypje te femrat shqiptare?
Trukohen shumë. Kjo më bën përshtypje. Por më janë mësuar sytë, pasi edhe në Japoni nuk mbeten pas.
Cila do të ishte femra juaj ideale?
E bukur sigurisht, çfarë mund të them më tepër. Por, nëse do të ishte bionde s’do ishte keq dhe me sy të bukur.
Miku më i mirë në Shqipëri?
Martin Kavdanski dhe Florian Kadriu. Kemi jetuar bashkë fillimisht, ndërsa tani vetëm me Florianin. Ndoshta me ta shkoj më shumë, prej gjuhës. Që të dy flasin serbo-kroatisht.
Cili është lojtari më “grindavec” i ekipit, apo që flet më shumë?
Nuk di të them. Në Japoni ne flasim më shumë, madje ndonjëherë kur kalohet caku, nis edhe sherri. Ndërsa këtu më duket sikur flisni më pak. Jeni më paqësorë, por këtë e them vetëm duke u bazuar te njerëzit që mua më rrethojnë në Shqipëri. Nuk e them për të gjithë shqiptarët.
Si ndiheni në ekip, ju kanë pranuar?
Shumë mirë, më kanë pranuar direkt. Jemi një grup, jemi shumë të lidhur. Dhe kjo më ka bërë që të ndihem mirë që kur erdha. Si erdhët te Tirana, kush u bë ndërmjetës? Trajneri Muça më kërkoi në fakt. Ai foli me një menaxher nga Shqipëria që kishte miqësi me një lojtar të Sutjeskës, Dejan Ogejanoviç (ish-lojtar i Kastriotit). Ai është shok i ngushtë me menaxherin në fjalë dhe kështu u bë lidhja.
Çfarë kontrate keni me bardheblutë?
Vetëm një sezon. Pra, në fund të kampionatit më skadon. E mendoni rinovimin në fund të këtij sezoni? Nuk di të them, është herët për të dalë në konkluzione. Nuk mund të flas me “ndoshta” që tani, ndërkohë që merkatoja hapet vetëm në verë. Ka shumë kohë përpara. Do shoh ofertat fillimisht.
E keni ndjekur Kombëtaren shqiptare?
Po, në një ndeshje kundër Portugalisë në “Elbasan Arena”. Ndeshje që e humbët në limit. Më pëlqeu ekipi, keni një grup që mbrohet mirë, por lëshoni shumë në finish. Pësoni shumë në fund.
Kush është lojtari që ju ka rënë në sy nga Kombëtarja kuqezi?
Kujtoj numrin 11 (i referohet Shkëlzen Gashit). Futbollist shumë i mirë.
Shqipëria për të parën herë do të jetë në Europian…
Meqenëse luan edhe Shqipëria në Europian këtë vit, do bëhem edhe unë pak “shqiptar”. Do bëj tifo për ju.
Ju nuk keni luajtur kurrë me Kombëtaren japoneze. Nëse do t’ju vinte një ftesë nga Mali i Zi apo Shqipëria, do ta pranonit?
Hëm, sa pyetje e vështirë. Edhe mund të pranoja. Unë në fakt zgjedhjen time të parë do kisha Japoninë, por, duke parë moshën time, është pak e vështirë. Nuk jam aq i ri, ndaj një ofertë nga Shqipëria do ta merrja në konsideratë, pra do thosha “po”.
Kush është lojtari më i famshëm në historinë e futbollit japonez?
(Mendohet gjatë) Hidetoshi Nakata ndoshta, Keisuke Honda po ashtu.
Njihni ndonjë personalisht?
Jo, miqtë e mi janë miqtë e tyre. Por nuk i njoh personalisht.
Kalojmë pak te Tirana e futbollit, si kanë qenë këto 14 javë kampionat?
Kemi krijuar shumë dhe kemi pasur raste të shumta për gol, por kemi gabuar.
Vetëm 2 gola si bardheblu, a jeni i kënaqur me veten?
Pak janë, dua më shumë. Do ndihesha i kënaqur nëse do shënoja të paktën nga një gol për çdo ndeshje. Ky është objektivi im personal. Në fund do doja që të kisha aq gola, sa edhe ndeshje.
Po titulli duket i mundur, edhe pse jeni 17 pikë larg kreut?
Shanse kemi, pasi gara është e gjatë. Partizani është në krye dhe nëse ne ndeshjet që kanë mbetur nga kjo fazë do t’i fitonim, do reduktonim disi diferencën. Nuk ka vend për t’u dorëzuar, pasi me rivalët direkt do të ndeshemi sërish.
Cila është pika e fortë e kësaj Tirane?
Kualiteti besoj se është pika jonë më e fortë, por gjithnjë nëse luajmë si grup.
A ka qenë Tirana një grup në këto 14 javë?
Në fillim nuk ishim mirë, ndërsa tani besoj se jemi më mirë. Pra, më grup. Edhe ndikimi i trajnerit të ri ka bërë të vetën.
Keni luajtur në krahët e mesfushës dhe në sulm, po ku ndiheni më mirë?
Sulmues jam në fakt. Në Japoni kam luajtur si sulmues qendror, ndërsa në Mal të Zi si sulmues krahu. Ndërsa te kjo Tiranë, ndoshta edhe prej grupit, ndihem më mirë si mesfushor i majtë.
Si është një ditë e zakonshme e Masatos?
Zgjohem rreth orës 10-11 të mëngjesit, ushqehem, konsumoj kafen dhe më pas në stërvitje. Pas përgatitjeve, nëse kam kohë, dal me shokët e ekipit dhe më pas vjen orari i darkës. Mund të dal sërish për të konsumuar diç- ka në bar dhe më pas shkoj në shtëpi dhe fle. Kjo është një ditë e imja e zakonshme.
Po televizor nuk shihni?
Jo, thuajse fare. Nuk kam çfarë në fakt, kjo ndoshta edhe prej gjuhës. Nuk e kuptoj. Maksimumi mund të shoh ndonjë ndeshje, meqenëse s’kam nevojë të di shqip që ta kuptoj.
Familja juaj a ka ndjekur ndonjë ndeshje të Fukuit te Tirana?
Jo, asnjë ndeshje.
Sa keni pa shkuar në Japoni?
Afro 11 muaj. Thjesht kam këmbyer mesazhe gjatë kësaj kohe dhe për fat janë mirë.
Do shkoni për Vitin e Ri në vendlindje?
S’e di, varet nga pushimet që do të kemi nga ekipi. Nëse do kemi ditë të mjaftueshme, mund të shkoj.
Si lëvizni në kryeqytet?
Me makinë, kam një “Smart”. Trafik ka shumë dhe sinjalistika pak problem, por jam mësuar disi.
Aziatikët dallohen nga forma e syve, po ne europianët a kemi diçka që na veçon?
Jeni njësoj, referuar tipareve. Megjithatë, unë të paktën mund të arrij të dalloj një malazez nga një shqiptar.
Cilat janë synimet tuaja afatshkurta në karrierë?
Për këtë sezon, do doja shumë titullin. Nëse do shpallesha kampion me Tiranën, do ndihesha i kompletuar.
Cila është skuadra për të cilën bëni tifo?
Bajerni i Mynihut.
Lojtari i preferuar?
Nuk kam ndonjë lojtar të preferuar.
Ronaldo apo Mesi?
Mesi. Është më i shpejtë, më teknik, më i talentuar.
A e vuani faktin e mungesës së komunikimit me njerëzit?
Po, por merrem vesh me anglishten gjithsesi.
E fundit, na thoni fjalët që keni mësuar në shqip…
Mirëmëngjesi, mirëdita, mirëmbrëma, natën e mirë, faleminderit, majtas, djathtas, të lutem, ça bone, si je goca, shumë pak, shumë mirë. Kaq di… (qesh).
Intervistoi: Adela Merko













