Ruçi karikon Bylisin: Me Elbasanin nis kthesa jonë, duam mbështetjen e tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2025 | 9:33

Ruçi karikon Bylisin: Me Elbasanin nis kthesa jonë, duam mbështetjen e tifozëve

Nën drejtimin e trajnerit të ri, Gentian Mezanit, ballshiotët janë fokusuar te sfida me Elbasanin, që luhet sot, në stadiumin “Adush Muça”, në orën 13:30.flamurr-ruciNë një prononcim për “Panorama Sport”, në prag të duelit që zhvillohet sot me skuadrën verdheblu, ka folur Flamur Ruçi, një nga lojtarët me eksperiencë, por edhe kapiten dhe vendimtar në disa ndeshje.

“Duhet që të bëjmë kthesën, jemi një skuadër me kualitete dhe vijimësi, kemi lojtarë me shumë eksperiencë, por edhe djem të rinj që kanë dëshirë të shfaqin vlerat. Ne duhet që të bëjmë maksimumin, pasi ishim ne ajo skuadra që bëmë kthesën në momentin kur të gjithë na menduan se do të binim. Bëmë 7 ndeshje pozitive. Kështu që është koha dhe momenti më i mirë për të dhënë maksimumin tonë dhe të dalim nga kjo ecuri jo e mirë në katër sfidat e fundit që kanë qenë edhe mjaft delikate. Kemi shansin më të mirë që të mposhtim Elbasanin, sepse luajmë në fushën tonë dhe për më tepër që skuadra është forcuar shumë. Jam optimist dhe besoj se nga sot nis kthesa e Bylisit dhe do të jemi gjithnjë e më larg zonës së ftohtë.

E falënderoj presor Nevilin, sepse bëri një punë shumë të mirë, por futbolli do edhe shumë fat. Bëmë shumë dhe punuam shumë dhe shpresoj që me ardhjen e presor Mezanit të arrijmë synimet që kemi këtë sezon, pasi kampionati është i gjatë dhe ka shumë ndeshje. Përpos kësaj na duhet që të përqendrohemi shumë te sfidat në shtëpi, duke marrë maksimumin e pikëve. Ndaj të shtrëngojmë dhëmbët dhe nga sot të bëjmë kthesën, sepse luajmë ndeshje vendimtare dhe duhet që të marrim maksimumin e pikëve. Ftoj tifozët që sot të na mbështesin. Ua kërkojmë si nder, pasi do t’ua shpërblejmë me 3 pikët”,- tha në mbyllje të prononcimit, mesfushori Flamur Ruçi.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL