Rroku, një kandidat serioz për portën e Skënderbeut
Skënderbeu zbulon një tjetër lojtar të rëndësishëm për ekipin e tij në këtë sezon. Pavarësisht humbjes dhe eliminimit nga Kupa që erdhi përmes shumë polemikash dhe dilemash, korçarët kanë fituar diçka nga kjo përballje me Dinamon.

Bëhet fjalë për portierin Kristian Rroku, i cili ka bërë një paraqitje mjaft dinjitoze në këtë takim duke u treguar se ka cilësi të shumta dhe është gati për një fanellë titullari, duke hapur një garë me Marko Alian, që deri tani ka qenë zgjedhja e parë e bardhekuqve.
Paraqitja e Rrokut me Skënderbeun në ndeshjen e Kupës ka rënë në sy të të gjithëve, madje edhe të specialistëve, të cilët nuk kanë kursyer fjalët e mira për portierin 22-vjeçar. Kjo bën që stafi bardhëkuq të jetë më i vëmendshëm drejt një tjetër elementi cilësor, që po rritet në klubin bardhekuq. Për Rrokun, një ndeshje e tillë ka qenë një motivim dhe vlerësim më shumë në aspektin personal, duke u munduar që të marrë më të mirën dhe të tregojë vlerat e veta përballë të gjithëve.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, Rroku tregon se gjithçka vjen si pasojë e punës së përditshme që bëhet në këtë ekip dhe kushteve me të cilat punon në Korçë. “Më duhet që të falënderoj trajnerin për fjalët e mira që ka thënë pas ndeshjes me Dinamon në lidhje me performancën time në këtë takim. Jam i bindur se kam bërë maksimumin dhe gjithmonë do të vijoj të bëj një gjë të tillë në çdo moment, që do të më jepet mundësia.

E gjithë kjo vjen si pasojë e punës që ne bëjnë në këtë klub. Është një punë e përditshme që me trajnerin Llapanji mundohemi të marrim maksimumin dhe të tregojmë vlerat tona. Jemi dy portierë të rinj që nuk e shohim kurrë si konkurrentë raportin me njëri-tjetrin, por si mundësi për të rritur performancën dhe cilësinë tonë në këtë klub.
Edhe me Alian nuk kemi konkurrencë, por mundohemi që të fitojmë sa më shumë nga njëri-tjetri. Unë jam i lumtur që munda të tregoj kapacitetin tim, dhe mbi të gjitha, që specialistët dhe të gjithë nga opinioni sportiv vlerësuan paraqitjen time në këtë takim”, theksoi Kristian Rroku për gazetën.
LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL













