Rrëfehet trajneri Eriol Merxha: Elbasani ishte “i vdekur”, tani po nis ringritja dhe presim rrogat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2017 | 15:42

Rrëfehet trajneri Eriol Merxha: Elbasani ishte “i vdekur”, tani po nis ringritja dhe presim rrogat

E mori Elbasanin në një gjendje gati të “vdekur” pas rënies në Kategorinë e Dytë, me shpresën se do ta “ringjallte”, përpos problemeve pa fund. Sot, trajneri i skuadrës së Elbasanit, Eriol Merxha, pas nëntë javësh kampionat drejton një ekip që ndodhet në vendin e parë në klasifikim dhe tenton ngjitjen në Kategorinë e Parë.

Merxha Erjol

Kampionati është shumë i gjatë dhe vetë tekniku kërkon që skuadra të qëndrojë me këmbë në tokë dhe çdo ndeshje ta shohë si një finale, pasi vetëm duke luajtur në këtë mënyrë mund të arrijnë objektivin në fund të kampionatit. Merxha Në një prononcim për “Panorama Sport”, Eriol Merxha përgëzon djemtë për shpirtin e garës që kanë treguar deri më tani, edhe pse i di shumë mirë vështirësitë që po kalon skuadra.

“Më duhet ta pranoj se aktualisht jemi brenda pritshmërive që kemi pasur, duke ditur edhe problemet në klub. Dua t’i përgëzoj djemtë për atë që kanë treguar në fushë, duke i lënë mënjanë hallet jashtë fushës së lojës.

Çdo ndeshje e kemi konsideruar si një finale, si brenda fushës sonë, ashtu edhe jashtë saj, ndaj deri më tani jemi shpërblyer me sakrificat që kemi bërë. Gjithsesi, nuk kemi arritur ende asgjë dhe duhet të vijojmë me këtë ritëm në të gjitha ndeshjet që na kanë mbetur”, u shpreh fillimisht tekniku elbasanas, Eriol Merxha.

Më tej, tekniku elbasanas ka folur edhe për sfidën e radhës me Devollin që do ta luajnë në Elbasan. “Objektivi në ndeshjen me Devollin do të jetë marrja e tri pikëve, pasi vetëm kështu mund të qëndrojmë në krye. Drejtuesit na kanë thënë që, para kësaj ndeshjeje, do të likuidohemi edhe me rrogat, ndaj edhe skuadra me djemtë në fushë do të hyjnë me një moral më të lartë.

Po kalojmë një moment të mirë dhe duhet ta shfrytëzojmë në favorin tonë”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën Eriol Merxha, i cili, për herë të parë, drejton një skuadër të rriturish.

VLADIMIR MEMO