Rrëfehet Karabeci: E dija që do ngjiteshim, ja pse nuk e braktisa “anijen”
Erando Karabeci ishte i sigurt për rikthimin në Superiore, por e pranon se presioni që ushtroi Bylisi e zbukuroi garën. Kapiteni paralajmëron se nuk ka vend për festë dhe thekson se për të pretenduar titullin, vitin tjetër duhet të ndërtohet një ekip më i fortë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori rrëfen arsyen se përse nuk e braktisi “anijen” dhe hapur e thotë që karrierën mund ta mbyllë si bardheblu. Nuk kishte si të mos fliste për penalltinë që humbi në sekondat e para të ndeshjes, ndërsa nuk ngurroi që të komplimentonte Grecën që i shmangu pengjet.

“Agonisë” i erdhi fundi, a ndihet më i qetë kapiteni?
Që të jem i sinqertë, i qetë kam qenë gjithë kohës. Gjithnjë kam pasur shumë besim te forca e ekipit, pavarësisht ndonjë luhatjeje të vogël që kemi pasur rrugës. Mendoj që e kemi dominuar pjesën më të madhe të kampionatit dhe s’kemi pasur dyshime që në fund do ta siguronim ngjitjen në elitë, vend që na takon me të drejtë.
Gjithnjë në krye, por dashur pa dashur Bylisi ju krijoi ndjeshëm presion…
Është e vërtetë që Bylisi na ka rivalizuar dhe i ka dhënë më shumë bukuri garës, por kjo erdhi për fajin tonë. Si pasojë e ndeshjes së fazës së parë, ku ne gabuam me atë paraqitje, që është e gjitha për t’u harruar. Por jemi të lumtur që kemi bërë detyrën dhe jemi rikthyer në mesin e më të mirëve.
Po sot (dje), e prisje kaq të lehtë, pasi duhet thënë që kundërshtari u duk i dorëzuar?
Mendoj që të lehtë ia bëmë vetes, sepse e nisëm me agresivitet lojën. Synimi ishte i qartë që në start, ne kishim udhëtuar në Ballsh vetëm për fitore. Në qoftë se nuk do të shënonim shpejt, mendoj që edhe ndeshja mund të merrte tjetër rrjedhë. Do ishte bërë më e vështirë dhe mund të kishim hasur probleme, por siç e thashë, e filluam me mentalitetin e duhur dhe arritëm ta zgjidhnim shumë shpejt.
Gjuajtët penallti që në 10 sekondat e para dhe gabuat, çfarë menduat në ato çaste?
Me sa pashë, m’i kishin studiuar penalltitë dhe unë nuk e godita ashtu siç duhet, por janë gjëra që ndodhin! Nuk është se mendova ndonjë gjë në ato çaste, thjesht vazhdova lojën sepse s’ma lejon karakteri që të ul kokën ose të bie moralisht kur gaboj, përkundrazi, bëhem akoma më i fortë.

E falënderuat Grecën që gjeti aq shpejt golin, pasi mund të mbetej edhe peng që nuk e shfrytëzuat atë 11- metërsh?
Për të falënderuar jo, por e komplimentoj për dy golat që realizoi dhe zgjidhi ndeshjen, duke futur në shërbim të ekipit cilësitë e tij më të mira. Pengu i vetëm lidhet me gjuajtjen, pasi ndoshta mund të kisha bërë më mirë.
Keni qenë nga ata lojtarë që sakrifikuat për Tiranën, duke refuzuar disa oferta. A ia vlejti dhe mos ndoshta Erandon do e shohin deri në mbyllje të karrierës si bardheblu?
“Kapiteni e braktis i fundit anijen”! Kjo shprehje i shkon për shtat edhe rastit tim. Nuk mund të largohesha në momentin më të vështirë të historisë së këtij klubi, që është më i madhi në Shqipëri. E kisha detyrim moral dhe shpirtëror që ta rikthenim ekipin aty ku i takon. Por është e vërtetë që kam refuzuar, por do ta bëja prapë të njëjtën gjë edhe në vazhdim, përtej ofertave. Kam gati një dekadë që luaj për këtë fanellë dhe po aq vite kam që bëj të njëjtën rrugë për në stërvitje. Me këtë dua të them që kam lidhje të ngushtë me këdo që përfaqëson këto ngjyra, duke filluar që nga punë- torët e fushës. Ata janë familja ime. Tani besoj e kuptoni arsyen pse nuk jam larguar dhe kam refuzuar çdo gjë!
Tirana fiton me një “mal” me mungesa, mund të themi që të rinjtë japin garanci?
Kjo tregon që kemi një grup lojtarësh që meritojnë të luajnë nga i pari tek i fundit dhe nga ana tjetër, dëshmon se nuk ka të paprekshëm. Kur i jepet mundësia, gjithsecili jep më të mirën, duke zëvendësuar ata që mungojnë. Mendoj dhe besoj që me përkushtimin e duhur dhe nëse punojnë fort, do të kenë një të ardhme shumë të mirë.
Duhen edhe 3 pikë për të vulosur matematikisht ngjitjen, jeni gati për festën?
Nuk mendoj se kemi ndonjë gjë për të festuar, sepse kemi bërë vetëm detyrën. Pastaj, nuk mund të festojë Tirona ngjitjen për në Superiore. Ndaj, nuk na mbetet gjë veçse të shohim përpara dhe të jemi gati për elitën.
Tirana gati 10 vite pa titull, sezonin tjetër a do të riktheheni për të rikthyer këtë trofe në shtëpi?
Të mbarojmë dhe këto ndeshjet që kanë mbetur dhe pastaj mund të flasim për të ardhmen. Normalisht duhet formuar një ekip akoma më i fortë, sepse Superiorja nuk është Kategoria e Parë.
ADELA MERKO













