Rimal Haxhiu rrezikon sezonin, Tirana kërkon mbrojtës. Bardheblutë hyjnë urgjentisht në merkato
Tirana është futur edhe një herë tjetër në merkato. Këtë herë qëllimi është që të afrojë një mbrojtës të djathtë.

Drejtuesit e klubit kanë marrë vendimin urgjent, duke vlerësuar situatën që po kalon skuadra. Në fakt, shtysën më të madhe për këtë vendim e ka dhënë dëmtimi i Rimal Haxhiut. Futbollisti u lëndua në sfidën e Kupës me Bylisin dhe rrezikon të jetë jashtë, gjatë. Ndonëse ende nuk kanë dalë rezultatet e rezonancës magnetike, duket se futbollisti mund të jetë jashtë nga 1 deri në tre muaj. Për Tiranën, kjo do të ishte humbje e madhe, pasi praktikisht, skuadra nuk ka mbrojtës të djathtë, ndonëse edhe Haxhiu ishte sajuar në këtë pozicion.
Alternativa e vetme që ka tani Magani është Gjumsi, i cili është anësor, por bën edhe rolin e mbrojtësit të djathtë nga halli, në ndihmë të skuadrës. Bardheblutë do të shohin në tregun e huaj për të gjetur mbrojtës të djathtë. Kujtojmë që Tirana e pati mbrojtësin e djathtë, Aran Isuf, i cili erdhi në verë nga kampionati bullgar. Gjithsesi, Isuf vendosi të largohej në dhjetor, duke prishur me mirëkuptim kontratën me ekipin e Tiranës.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













