Rikthimi i Lulajt, arma sekrete e Elbasanit. Me kapitenin në fushën e lojës, verdheblutë besojnë te fitorja
Elbasani do të përpiqet të bëjë menjëherë kthesën e shumëpritur në rezultate në përballjen e kësaj fundjave me Dinamon, një ndeshje ku për verdheblutë nuk ka alternativë tjetër përveç fitores.
Pas një ecurie jo pozitive në javët e fundit, elbasanasit kanë pësuar rënie graduale në renditje: fillimisht nga vendi i parë, më pas në të dytin dhe tashmë janë pozicionuar në vendin e tretë. Një tjetër hap fals, konkretisht një humbje përballë bluve, do t’i zbriste ata edhe më poshtë, në vendin e katërt, ndaj kjo sfidë shihet si tepër vendimtare në kampin verdheblu. Atmosfera në skuadër është e ndërgjegjshme për peshën e këtij 90-minutëshi. Jo vetëm për pikët, por edhe për moralin dhe besimin, pasi një fitore ndaj Dinamos do të shërbente si sinjal i qartë reagimi në një moment delikat të sezonit. Për këtë arsye, stafi teknik dhe lojtarët e konsiderojnë këtë duel si një “ndeshje kthese”, ku çdo detaj merr rëndësi maksimale.
PROBLEMI NË MBROJTJE – Nëse deri pak javë më parë mbrojtja konsiderohej reparti më i fortë dhe më i besueshëm i Elbasanit, sot panorama nuk është më e njëjtë. Shifrat e javëve të fundit flasin qartë për një rënie të ndjeshme në prapavijë, pikërisht në periudhën kur skuadra ka hasur vështirësi për të gjetur fitoren. Në total, verdheblutë kanë pësuar vetëm 14 gola, duke mbetur ende, së bashku me Egnatian kryesuese, mbrojtja më e mirë e kampionatit.
Megjithatë, ky bilanc i përgjithshëm nuk e fsheh faktin se skuadra është zhbalancuar dukshëm në ndeshjet e fundit. Mjafton të thuhet se në katër javët e fundit Elbasani ka pësuar shtatë gola, praktikisht po aq sa kishte pësuar në të gjithë pjesën e mëparshme të sezonit. Kjo rënie ka vënë në alarm stafin teknik. Gjatë seancave stërvitore të kësaj jave, trajneri Gvozdenoviç ka vënë theks të veçantë te organizimi defensiv, mbyllja e hapësirave dhe mbajtja sa më larg e kundërshtarëve nga zona e rrezikut. Qëllimi është i qartë: të rikthehet siguria në prapavijë dhe ekuilibri që i ka dhënë rezultate skuadrës në fazën e parë të kampionatit.
RIKTHIMI I LULAJT – Sa herë flitet për mbrojtjen e Elbasanit, mendja shkon menjëherë te Bruno Lulaj. Kapiteni i verdhebluve ka munguar në katër javët e fundit për shkak të një dëmtimi në këmbë dhe mungesa e tij është ndjerë dukshëm, jo vetëm në aspektin teknik, por edhe në atë të lidershipit në fushë. Në njëfarë mënyre, këto ndeshje kanë konfirmuar edhe më shumë rolin e tij si një lojtar i pazëvendësueshëm në strukturën e skuadrës. Përballë Dinamos ekziston shpresa reale që Lulaj të jetë i gatshëm. Ai ndodhet në fazë rikuperimi dhe stafi teknik po e monitoron nga afër gjendjen e tij fizike. Gvozdenoviç nuk e përjashton mundësinë që kapiteni të jetë pjesë e formacionit, por gjithçka do të vendoset në dy ditët e fundit para ndeshjes, në varësi të reagimit të tij gjatë stërvitjeve. Prania e Lulajt në fushë do t’i jepte Elbasanit më shumë qetësi, organizim dhe siguri në mbrojtje, pikërisht në një ndeshje ku gabimet nuk falen. Ndaj, rikthimi i tij shihet si një nga çelësat kryesorë për të arritur objektivin e vetëm: fitoren ndaj Dinamos dhe rikthimin e Elbasanit në rrugën e duhur.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













