Rikthehet trajneri Magani, por Besa mbetet me mungesa edhe në transfertën e Fierit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2026 | 12:36

Rikthehet trajneri Magani, por Besa mbetet me mungesa edhe në transfertën e Fierit

Besa arriti të marrë një pikë mes shumë vështirësish në përballjen e fundit ndaj Lushnjës, ku kavajasit u kënaqën me barazimin për shkak të mungesave të shumta. Në atë sfidë mungonin të pezulluarit Ermir Spahiu dhe Godsuill Çinuendu, të dy të ndëshkuar me kartonë të kuq në Gjirokastër. Të njëjtin dënim vuajti edhe trajneri Gugash Magani, i cili e ndoqi ndeshjen nga tribuna e stadiumit të Luzit.

gugash magani besa

Problemet nuk mbaruan me kaq, pasi jashtë mbetën edhe portieri Abdullahu dhe mbrojtësi Beqja, ndërsa gjatë pjesës së parë u dëmtua edhe Edon Hasani, duke e komplikuar më tej situatën për verdhezinjtë. Të dielën, Besa do të udhëtojë drejt Fierit, ku në stadiumin “Loni Papuçiu” e pret një përballje e fortë ndaj Apolonisë, për vetë objektivat që kanë të dy skuadrat. Fierakët nuk fitojnë që nga 3 dhjetori, pikërisht kur mposhtnin Besën me rezultatin 2-0, një statistikë që i jep edhe më shumë ngarkesë këtij takimi. Edhe për këtë sfidë, Besa do të ketë mungesa të rëndësishme.

Mbrojtësi Abdullai u ndëshkua me karton të kuq në javën e fundit dhe do të mungojë në Fier. Ndërkohë, pezullimi vijon edhe për sulmuesin Çinuendu, i cili u dënua me katër ndeshje nga Komisioni i Disiplinës për gjestin gjatë festimit të golit në Gjirokastër, duke pasur ende tre ndeshje për të shlyer. Lajmi pozitiv për kavajasit është rikthimi në pankinë i trajnerit Gugash Magani, si dhe aktivizimi i sulmuesit Spahiu, të cilët kanë shlyer pezullimet e tyre. Megjithatë, Besa do të duhet të bëjë sërish llogaritë me mungesat, në një transfertë që pritet të jetë vendimtare për ecurinë e sezonit.

PANORAMASPORT.AL