Rikthehen “ethet” e rënies, Bylisi ka vuajtur nga virozat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2025 | 16:59

Rikthehen “ethet” e rënies, Bylisi ka vuajtur nga virozat

Bylisi menjëherë pas sfidës me Egnatian është nisur drejt Ballshit ku edhe është grumbulluar për sfidën e Kupës së Shqipërisë, në një duel mjaft delikat që do të zhvillohet nesër në “Adush Muçaj”.

byliss

Kupa e Shqipërisë është një tjetër objektiv i mallakastriotëve që do të tentojnë të bëjnë mrekullinë dhe ta kalojnë turin edhe pse duket e vështirë sepse shorti i ka vendosur përballë skuadrën më në formë dhe kampionen në fuqi të Superiores. Dy humbjet e fundit në kampionat, duket sikur kanë rikthyer “ethet” e rrezikut të “zonës së ftohtë” për skuadrën mallakastriote, që do të ketë në fundjavë një tjetër transfertë shumë të vështirë, atë me skuadrën e vendit të dytë, Vllazninë në Shkodër për kampionat.

Nëse dy javë më parë u duk se ballshiotët kishin diferenca me rivalët e tyre në betejën e mbijetesës, duket se tashmë skuadra mallakastriotë është shumë afër sidomos me Laçin e Tiranën, por edhe Teutën e Skënderbeun.

MERKATO- Ballshiotët ashtu siç edhe planifikuan në hapje të merkatos, zgjodhën një strategji ndryshe, teksa afruan pak lojtarë dhe në ato pika ku kishin nevojë, ku kanë rënë në sy sidomos Ilieksi apo Kane por edhe Baçi, lojtarë që vijnë nga kampionate të njohura dhe që dy të parët kanë treguar cilësi me aktivizimet e para me Bylisin edhe pse kanë pak kohë.

VIROZAT- Situata nga virozat nuk ka qenë aspak e mirë te ballshiotët në këto 2-3 javë edhe për faktin se janë prekur shumë nga titullarët të cilët edhe kanë sakrifikuar jo pak duke luajtur si ndaj Tiranës ashtu edhe Egnatias. Mici, Kasmollari dhe Emini janë duke u rikuperuar dhe shumë shpejt do të jenë me pjesën tjetër të skuadrës.

HUAZIMET- Bylisi ka bërë huazime të tjera duke dhënë në formë borxhi sulmuesin Mamady Oulare te Tomori, aty ku ballshiotët kanë të huazuar edhe të tjerë lojtarë të dalë nga moshat si portieri brazilian: Freitas Souza, Skënderaj, Hasan, Buraneli. Ndërkohë që ballshiotët kanë vendosur që të mbajnë në organikë dy sulmuesit Mohamed dhe Akibu, të cilët do të mund të luajnë jo vetëm me moshat, por edhe U-21 dhe ekipin “b” në Kategorinë e Tretë. Gjatë kësaj jave mund të ketë edhe ndonjë tjetër huazim në skuadrat fqinje, të së Parës apo të Dytës, duke qenë se organika e mallakastriotëve është e mbipopulluar.

E. SALIU-PANORAMASPORT.AL