Rezultatet janë kundër Bylisit, po ndihen “ethet” e rënies

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2025 | 19:20

Rezultatet janë kundër Bylisit, po ndihen “ethet” e rënies

Bylisi barazoi në shtëpi me Elbasanin, në një duel ku mallakastriotët bën çmos që ta fitonin, por që në fund rezultoi pafat ajo sfidë në shtëpi edhe për faktin se bardheblutë u ndalën nga shtylla, ndërsa iu afruan edhe me tri raste flagrante golit.

byliss

Pas katër takimeve me disfata, në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë, mallakastriotët rikthehen të marrin pikë. Trajneri Gentian Mezani ka debutuar me pikë në një duel në shtëpi, mirëpo duket se kjo nuk i ka shkuar aspak për shtat, pasi Bylisi ka ndërlikuar edhe më pozitat në tabelën e renditjes.

Java që sapo u mbyll foli kundër ballshiotëve, që tashmë ndiejnë “ethet” e fundit. Sakaq, kanë nisur përgatitjet fill pas duelit me verdheblutë, sepse nuk ka shumë kohë për Partizanin. Në duelin që zhvillohet në transfertën kundër Partizanit të premten në mbrëmje, mallakastriotët do të guxojnë për rezultat pozitiv. Mezani do ta ketë grupin e plotë, ndërsa ka ndjekur edhe sfidën e skuadrës B ndaj Skraparit, ku ka parë edhe gjendjen e një pjese të mirë të lojtarëve.

Beqaj, Kane, Baçi, Miçi, Çelaj, Muktar, Kasaj, Ofori, Papa dhe Ualison kanë marrë minuta, duke qenë se ndenjën në stol ndaj Elbasanit. Organika duket se është mbipopulluar pas afrimeve të merkatos së janarit në Ballsh. Sakaq, mësohet se policia e Mallakastrës ka proceduar tre të rinj për shkak se hodhën lëndë piroteknike në fushë në ndeshjen me Elbasanin.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL