Repaj: Dinamo skuadër e vështirë, ne duam pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2026 | 23:07

Repaj: Dinamo skuadër e vështirë, ne duam pikët

Vora ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për ndeshjen ndaj Dinamos dhe tashmë deri në ndeshje u mbetet dhe vetëm një seancë stërvitore, ajo e ditës së sotme. Serjan Repaj, 25-vjeçari shkodran që luan si qendërmbrojtësi i Vorës është shprehur optimist për “Panorama Sport” në prag të sfidës së kampionatit ndaj Dinamos. “kemi një ndeshje shumë të vështirë përballë Dinamos, por kërkojmë të marrim maksimumin e pikëve prej saj.

repaj

Ne kemi treguar se jemi një skuadër me shumë kualitete dhe nëse luajmë sikurse kemi bërë në shumë ndeshje të fundit, që kemi luajtur këtu në Vorë, atëherë nuk do të kemi problem që të mund të fitojmë dhe këtë ndeshje. Unë nuk shoh veten time para ekipit, më e rëndësishme është të fitoj skuadra. Dëshiroj që ekipi të luaj mirë dhe të fitojmë. Sa i përket formës time, mund të them që tashmë jam në qind përqindëshin tim.

Fillimisht ishte vështirë ambientimi me skuadrën në momentet e para kur erdha tek Vora. Ambientimi në fushat normalisht që ka ndikuar, pasi secili terren dallon nga terreni tjetër. Tani po e ndiej veten shumë mirë dhe e kam kuptuar futbollin këtu. Humbja me Elbasanin nuk është se na ka rrezikuar që ne të futemi në “ethet” e mbijetesës, pasi ne jemi po aty, po në atë pozicion dhe do të mundohemi ta ruajmë atë pozicion deri në fund.

Normalisht kur vjen nga një ndeshje pozitive dhe fiton, të gjithë futbollistët kanë motiv për ndeshjen e radhës e kur vjen nga një ndeshje që e humbet, bëhesh pak pesimist e krijohet disi një rënie psikologjike, por me lojtarët që grupi ynë ka, kjo kalohet shpejt pasi përvoja dhe profesionalizmi i tyre, na ka mësuar të tilla gjëra, që të jemi sa më të gatshëm për ndeshjen e radhës.

Ne do të luftojmë deri në fund për qëllimin e objektivave tona, që mbetet mbijetesa. Për ne të gjitha ndeshjet kanë qenë të forta të bukura, gjithkush e ka pëlqyer lojën tonë edhe në këtë ndeshje, do të mundohemi të shfrytëzojmë në maksimum kualitetet tona e të mundohemi për një rezultat pozitiv edhe ndaj Dinamos.

Te Vora jam pritur jashtëzakonisht mirë si nga drejtuesit e klubit po ashtu edhe nga grupi lojtarëve. Jemi një skuadër që ka në brendësi cilësi e kualitete dhe shumë shpejt jemi kuptuar me njëri-tjetrin”, ka përfunduar prononcimin e tij, Serjan Repaj.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL