Rënia e koeficientit rrezikon Superioren, katër skuadrat shqiptare në Europë duhet të shmangin katastrofën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2025 | 20:44

Rënia e koeficientit rrezikon Superioren, katër skuadrat shqiptare në Europë duhet të shmangin katastrofën

Një aspekt që drejtuesit e futbollit shqiptar duhet të shqetësohen, përfshi këtu edhe ata të klubeve, janë paraqitjet në Europë. Prej 8 vitesh, kampionati shqiptar nuk arrin dot që të kualifikojë një skuadër në grupet e një turneu.

superiore europe

Edhe pse në vitet e fundit është shtuar një kompeticion si Liga e Konferencës, sërish klubet tona nuk kanë kapërcyer pragun e artë. Egnatia, Partizani, Dinamo dhe Vllaznia do të përfaqësojnë Shqipërinë në turet e kompeticioneve europiane, ndërsa ky vit do të ketë një përgjegjësi më shumë për këto klube.

Në vitet e fundit, që pas kohës kur Skënderbeu merrte pjesë në grupet e Ligës së Europës apo Kukësi e Tirana arrinin në play-off, performanca e klubeve shqiptare ka qenë në rënie. Diçka e tillë ka sjellë edhe uljen e koeficientit të kampionatit në renditjen e UEFA-s, ndërkohë që shtetet e tjera kanë përparuar dhe tashmë, kampionati shqiptar rrezikon seriozisht që të humbasë një ekip në Europë.

Pra, jo më katër skuadra që shkojnë në Europë, por tri. Kështu që performanca e tyre në turet e Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Konferencës është tepër e rëndësishme për të ardhmen. Në renditjen e përgjithshme të kampionateve, Superiorja mban vendin e 46-ë, nga 55 shtete që janë gjithsej. Koeficienti i kampionatit nuk është përmirësuar dhe për momentin është 7875 pikë, ndërkohë pas nesh janë Mal i Zi, Luksemburgu, Uellsi dhe Gjeorgjia në vendin e 50-ë.

KOEFICIENTI- Partizani ka koeficientin më të mirë nga 4 klubet që janë në Europë. Nëse të kuqtë shpallen kampion, ata do të luajnë në Ligën e Kampioneve dhe me shumë mundësi do të jenë në vazon e skuadrave jofavorite, kjo për shkak të koeficientit. Ndërkohë, nëse “Demat” marrin pjesë në turin e parë të Ligës së Konferencës, do të jenë në vazon e favoritëve. Diçka e tillë nuk mund të jetë për Egnatian, pasi koeficientin e ka 2,500 pikë dhe në çdo rast do të ketë një ekip me koeficient më të lartë në short.

I  papërcaktuar është pozicionimi i Vllaznisë, e cila duhet të presë se cilat do të jenë ekipet e kampionateve të tjera që do të marrin pjesë në turet kualifikuese. Ndërkohë që Dinamo, e cila rikthehet pas shumë vitesh në Europë, do të jetë në vazon e skuadrave jofavorite.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL