Renditet në vendin e 9-të në tabelë, por Flamurtari ka formacionin dhe stolin më të shtrenjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2025 | 8:28

Renditet në vendin e 9-të në tabelë, por Flamurtari ka formacionin dhe stolin më të shtrenjtë

Formacioni më i vlefshëm i sezonit i përket Flamurtari FC, i cili në javën e gjashtë, në fitoren 2-0 ndaj Dinamos, zbriti në fushë me një 11-she të vlerësuar 3.73 milionë euro.

flamurtari

Ky është niveli më i lartë financiar i regjistruar deri tani në kampionat dhe tregon qartë ambiciet e klubit vlonjat për të qenë protagonist. Menjëherë pas Flamurtarit renditet Partizani, që në javën e tetë, në barazimin 0-0 kundër Egnatias, kishte një formacion titullar me vlerë 3.65 milionë euro. Egnatia, kampione në fuqi e Shqipërisë, shfaqet gjithashtu në krye të kësaj renditjeje, pasi në javën e 16-të kundër Dinamo City aktivizoi një 11- she fillestare me vlerë 3.40 milionë euro. Në vijim të listës pozicionohen Vllaznia, e cila në javën e 16-të ndaj Bylisit pati një formacion me vlerë 3.13 milionë euro, si dhe Dinamo, që në javën e tretë përballë Elbasanit zbriti në fushë me një ekip të vlerësuar 3.00 milionë euro. Teuta kompleton grupin e skuadrave me formacione relativisht të shtrenjta, me 2.80 milionë euro në ndeshjen e javës së nëntë kundër Egnatias. Tirana, Elbasani dhe Bylisi ndjekin më pas, ndërsa Vora, si skuadër e sapongjitur në elitë, mbyll renditjen me 11-shen më pak të vlefshme të sezonit, e vlerësuar 1.38 milionë euro.

REZERVAT – Një panoramë interesante ofron edhe analiza e stolit më të vlefshëm gjatë këtij sezoni. Edhe në këtë aspekt kryeson Flamurtari FC, i cili në javën e dytë, në barazimin 3-3 ndaj Bylisit, kishte në pankinë lojtarë me një vlerë totale prej 3.13 milionë euro, duke dëshmuar thellësinë e organikës. Pas tij vijnë Dinamo, Partizani, Vllaznia dhe Egnatia, ndërsa në fund të renditjes pozicionohen Elbasani, Tirana, Bylisi dhe Vora, me stole rezervash më modeste nga ana financiare. Këto të dhëna tregojnë se sezoni 2025/26 i Kategorisë Superiore karakterizohet nga diferenca të dukshme në vlerën ekonomike të formacioneve dhe stolit, por gjithashtu konfirmojnë se futbolli nuk matet vetëm me shifra.

PANORAMASPORT.AL