“Reagojmë ndaj Vorës, humbja s’na ka rrëzuar”, Arsen Kasa: Objektivi ynë mbetet zona “Final 4”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2025 | 22:42

“Reagojmë ndaj Vorës, humbja s’na ka rrëzuar”, Arsen Kasa: Objektivi ynë mbetet zona “Final 4”

Mesfushori i Elbasanit, Arsen Kasa, ka folur për “Panorama Sport” për situatën aktuale të ekipit dhe pritshmëritë për ndeshjen e radhës kundër Vorës, që do të zhvillohet këtë të diel në “Elbasan Arena”. Ai thekson rëndësinë e përqendrimit dhe lojës së organizuar, duke nënvizuar se çdo ndeshje ka rëndësinë e vet dhe se skuadra do të synojë maksimumin në fushë.

kasa

“Do të jemi të përqendruar dhe do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, dhe kjo nuk bën përjashtim. Ne duhet të tregojmë disiplinë dhe seriozitet në çdo moment të lojës. Po punojmë shumë në stërvitje për të qenë më të organizuar dhe për të shmangur gabimet që mund të kushtojnë pikë”, u shpreh fillimisht Kasa.

REFLEKTIMI PAS HUMBJES – Elbasani vjen pas një humbjeje ndaj Vllaznisë, një rezultat që ka dhënë mundësinë për reflektim dhe përmirësim. Kasa thekson se skuadra nuk është e demoralizuar dhe se analizat e brendshme kanë nxjerrë mësime të qarta për të vazhdhuar përpara. “Rezultati nuk ishte ai që prisnim, por nuk duhet të ndikojë tek ne. Çdo humbje ka diçka për të mësuar. Po analizojmë gabimet tona dhe po punojmë për t’i korrigjuar.

Nuk jemi të rrëzuar moralisht, përkundrazi, kemi marrë një mesazh për të qenë më të kujdesshëm dhe më të fokusuar. Është e rëndësishme që të mos reagojmë emocionalisht ndaj një humbjeje, por të mbajmë qetësinë dhe të përqendrohemi te detajet që mund të na bëjnë më të fortë në ndeshjet e ardhshme”, tha më tej futbollisti i Elbasanit.

PËRGATITJET – Mesfushori thekson se puna e përditshme dhe stërvitjet janë thelbësore për të arritur qëllimet e skuadrës. Nga ana tjetër, pauza i bëri mirë për të rikuperuar disa lojtarë nga dëmtimet. “Çdo stërvitje ka rëndësi të madhe. Po punojmë për të qenë më të organizuar në fushë, për të pasur më shumë komunikim mes reparteve në fushën e lojës dhe për të shmangur gabimet e panevojshme. Çdo pikë ka vlerën e vet, ndaj duhet të jemi të përqendruar dhe të angazhuar. Ky pushim i shkurtër them se na ka bërë mirë, edhe për faktin se mund të na rikuperohen disa lojtarë”, pohoi më tej ai.

OBJEKTIVAT – Pavarësisht dy javëve të fundit, Arsen Kasa e sheh fillimin e kampionatit si pozitiv dhe pohon se synimi është “Final 4”, por duke e pasu mendjen vetëm tek ndeshja e radhës dhe jo objektivi final. “Synimi ynë është të kemi një nisje të qëndrueshme dhe të vazhdojmë me këtë ritëm. ‘Final 4’ mbetet objektivi kryesor dhe çdo lojë është një hap drejt tij.

Nuk duhet të jemi të ndikuar nga rezultatet e veçanta, por të vazhdojmë të punojmë me seriozitet dhe disiplinë. Synimi ynë nuk është vetëm të marrim pikë, por të krijojmë lojë të mirë, të kontrollojmë ndeshjet dhe të tregojmë karakter në çdo moment. Kjo është mënyra për të arritur ‘Final 4’ dhe për të mbajtur ekipin në nivele të larta”, përfundoi prononcimin e tij mesfushori elbasanas.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL