Qardaku humbet Egnatian, 4 të tjerë rrezikojnë/ Ja situate te Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2026 | 23:23

Qardaku humbet Egnatian, 4 të tjerë rrezikojnë/ Ja situate te Dinamo

Sfida me Flamurtarin nuk rezultoi për Dinamon pika e kthesës, duke qenë se kryeqytetasit nuk morën më shumë se një barazim në këtë takim. Sikur të mos mjaftonte rezultati që mund të konsiderohet negativ duke ditur objektivat që blutë kanë, kartoni i verdhë që Eridon Qardaku mori, do t’i kushtojnë ndeshjen e radhës.

qardaku

Sulmuesi shkodran që me Dinamon po luan si mesfushor, ka plotësuar tashmë numrin e katër kartonëve të verdhë do të mungojë sfidën e ardhme ndaj Egnatias në kampionat. Daja do të duhet të bëjë në këtë mënyrë pa një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadër, megjithatë alternativat në stolin e Dinamos nuk mungojnë, sidomos në repartin e mesfushës.

Bakari Gudiabi ishte i pezulluari i ndeshjes me Flamurtarin pas kartonit të kuq ndaj Tiranës dhe me Egnatian është një rikthim i rëndësishëm në skuadër pasi ka eksperiencën e duhur për të dhënë kontributin e tij.

TË RREZIKUARIT- Qardaku është lojtari që ka plotësuar numrin e kartonëve por në skuadrën e Dinamos ka katër lojtarë të tjerë që rrezikojnë të mungojnë ndaj Vorës. Prej disa javësh, në kuotën e 3 kartonëve të verdhë kanë qenë Dejvi Bregu dhe Bernard Berisha të cilët ende nuk janë ndëshkuar për të shlyer dënimin. Ndërkohë, me 3 kartonë të verdhë është transferuar edhe Ibrahim Mustafa nga Bylisi duke qenë një nga të rrezikuarit.

Në takimin e fundit ndaj Flamurtarit, qendërmbrojtësi Andre Teikseira u ndëshkua me të verdhë dhe u shtua në listën e lojtarëve që rrezikojnë. Veç këtyre katër lojtarëve, në listë është edhe Renaldo Kalari që prej shumë javësh është në kuotën e 3 kartonave të verdhë për protesta. Kalari është një nga ndihmësit e trajnerit Daja dhe shpesh herë nuk ka arritur të përmbajë nervozimin duke detyruar kryesorët e sfidave që ta ndëshkojnë.

PANORAMASPORT.AL