Priten 5 rikthime te Partizani, nis puna për sfidën me ballshiotët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2025 | 20:14

Priten 5 rikthime te Partizani, nis puna për sfidën me ballshiotët

Partizani ka zbritur në fushë dhe ka nisur përgatitjet për ndeshjen e së premtes kundër Bylisit në orën 18:00 në stadiumin “Arena e Demave”. Të kuqtë do të kërkojnë të kthehen te fitorja pas katër ndeshjeve radhazi pa ia dalë.

Foto/ F. Hazisllari

Foto/ F. Hazisllari

Bylisi nuk po përjeton ditët më të mira dhe mund të themi se ballshiotët janë një mundësi e mirë që Partizani të kthehet të bëjë ekipin pretendent për titullin. Sa i përket organikës, të kuqtë kanë disa lajme të mira.

Për këtë ndeshje pritet të kthehen tre lojtarë nga pezullimet: Janjeva dhe Taipi kanë shlyer kartonët e marrë në derbi, teksa për Bytyçin ka mbetur gjysma e dënimit dhe klubi pritet ta shlyejë me gjobë sfidën e mbetur.

Sakaq, vijon pezullimi për Gudjufin. Sa i përket aspektit fizik, mund të themi se Kote është tërësisht i gatshëm për lojë, teksa priten edhe rikthimet e Prekës dhe Shanajt, që kanë pasur probleme shëndetësore për shkak të virozave. I dëmtuar momentalisht vijon të jetë vetëm Eleke, i cili ka nisur vrapimet dhe është në fazën e fundit të rikuperimit. Rikthimet e shumta pritet të pasohen edhe nga ndryshime në 11-shen e Veselinoviç.

PANORAMASPORT.AL