Prishet tradita 15-vjeçare te PSG, Al Khelaifi mbetet “peng” nga lufta në Lindjen e Mesme
Naser Al Khelaifi, pas 15 vitesh radhazi, është detyruar që të prishë atë që ishte tradita e tij më e madhe te klubi i PSG-së. Pavarësisht situatave, gjendjes shëndetësore apo çfarëdolloj krize tjetër, presidenti i parisienëve, nuk mungonte kurrë në stërvitjen e fundit para një ndeshje të Ligës së Kampioneve.

Por tradita që zgjaste që nga viti i largët 2011, është prishur dje, pasi numri 1 i klubit parisien ka munguar në prag të ndeshjes ndaj Çelsit e mbi të gjitha, duket se do të mungojë në tribunë në takimin e sotëm. Arsyeja është se Al Khelaifi ka mbetur i bllokuar në Doha të Katarit, pa mundësinë për të fluturuar jashtë vendit si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.
Ai mban një post shtetëror në këtë vend paralelisht me atë të drejtuesit të PSG dhe për momentin, të gjitha impenjimet e tij kanë lidhje me situatën në vend, i cili ka vuajtur disa bombardime nga Irani në ditët e fundit, që nga shpërthimi i luftës.
PANORAMASPORT.AL













