Portieri Tafas: Impenjim maksimal sot, Teuta nuk i trembet Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2025 | 12:03

Portieri Tafas: Impenjim maksimal sot, Teuta nuk i trembet Elbasanit

Teuta do të luajë ditën e sotme duelin e radhës për javën e 29-ë të Superiores, me durrsakët që nuk janë në moment të mirë dhe gjenden në pozita të vështira në renditje.tafasFitorja është një detyrim, teksa përballë do të kenë Elbasanin e vendit të pestë, që kërkon të afrohet edhe më shumë me Partizanin. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, Angelo Tafas flet në lidhje me këtë duel. Portieri i Teutës thekson se skuadra duhet të tregojë impenjim maksimal pasi si çdo ndeshje, edhe kjo është e vështirë. Ai shprehet se rivali i Teutës për mbijetesën është vetëm kundërshtari i radhës.

Dy javë pa sukses dhe një ndeshje e dobët kundër Bylisit, çfarë ndodhi?

Kundër Bylisit e kishim përgatitur ndeshjen për fitore, por normalisht që u ndëshkuam nga një pakujdesi dhe kjo ndikoi psikologjikisht.

Si e shikoni sfidën ndaj Elbasanit?

Si çdo sfidë të radhës. Në këto javë ndeshjet kanë treguar që nuk ka sfida të lehta. Ekipet janë aty-aty në performancë. Elbasani ka një ekip me eksperiencë, ndërsa motivimi ynë është i lartë, pasi në fund të fundit çdo ndeshje është e barabartë me 3 pikë.

Ka diçka që ju tremb para ndeshjes kundër verdhebluve?

Jo, asgjë nuk më tremb, por siç e thashë, pres një ndeshje shumë të fortë. Nga ana jonë do të këtë një vlerësim dhe impenjim maksimal, sepse është shumë e rëndësishme. Kështu që nuk i trembem asgjëje, kam besim, pasi ne kemi ekipin dhe lojtarët me eksperiencë që dimë ta vlerësojmë çdo ndeshje njësoj.

Cilin nga rivalët e shihni si më të rrezikshëm për mbijetesën?

Ne kemi rival vetëm Elbasanin, sepse do të fokusohemi te ndeshja e sotme. Ndeshje pas ndeshje do t’i shohim se cilët mund të jenë rivalët më të fortë dhe jo të fortë. Unë e kam thënë që në këtë kampionat nuk ka diferenca.

Fakti që keni pësuar shumë gola, a ndikon në renditje?

Futbolli është edhe fat. E vërtetë që kemi pësuar shumë gola, por në disa raste jemi ndëshkuar nga disa momente mospërqendrimi. Gjithsesi, po punojmë që ta rregullojmë këtë.

Z.QYPI-PANORAMASPORT.AL