Portieri Harizaj: Dua të përparoj, te Tirana humba shumë kohë
Vora po vijon përgatitjet për takimin e së dielës kundër Teutës, në stadiumin e saj. Ajo kërkon që të mos ndalet nga rezultatet pozitive pasi ka marrë shumë në shtëpi, e cila po i jep më shumë shanse për pikë. I gjithë qëllimi që vorakët kanë për momentin është që të shkëputen sa më shumë nga zona e ftohtë që të nxjerr nga kategoria, duke bërë që edhe ndonjë hap fals i mëtejshëm të mos ndikojë në objektivat e skuadrës për të mbijetuar.

Pra qëllimi vorakëve është të marrin maksimumin në ndeshjet në shtëpi. Gjatë këtyre dy javëve të para të fazës së tretë te Vora bie në sy aktivizimi i portierit Romeo Harizaj, që po tregon një formë të shkëlqyer duke qenë në ndeshjet ndaj Partizanit dhe Tiranës shpëtimtar i portës vorake. Më parë ka kaluar aventura me Bylisin, Apoloninë, Dinamon dhe Tiranën nga e cila u nda për të firmosur me Vorën.
Pritje pa fund – Romeo Harizaj kthehet të luajë dhe suprizon ndaj Partizanit. Nëse ka një pozicion ku në Superiore gjen cilësi pa fund, ai është portieri Harizaj. Ai po shpërthen në një kohë që Superiorja këtë sezon është e mbushur me portierë cilësorë. Madje këtë fillimi viti, ai është kthyer në skenë me një emër që mungonte prej kohësh. Këtë herë te Vora, ku ishte një portier rezervë, trajneri Bellai i ka dhënë besim dhe Harizaj ka shkëlqyer. Kundër Partizanit ishte lojtari i ndeshjes, me disa pritje fantastike, sinjal i qartë se Harizaj është lojtar për Superiore edhe si titullar, sepse edhe në ndeshjen e dytë ndaj Tiranës ai zë vend në formacionin e javës.
Lidhur me këtë nisje dhe start kaq të bukur për 27-vjeçarin mallakstriot, Romeo Harizaj morëm një prononcim të shkurtër për gazetën “Panorama Sport”. ”Pavarësisht se unë nuk kam pasur vëmendjen e duhur gjatë karrierës time, kam punuar me shpirt e përkushtim për të qenë një sigurues i portës. Nuk do të harroj atë periudhë që ndenja te Tirana pa u aktivizuar në asnjë ndeshje, ku e konsideroj një kohë të humbur te bardheblutë. E kjo më frymëzonte më shumë për të treguar se kush isha në të vërtetë. Jam i lumtur që në dy ndeshjet e para të këtij viti të bëj një paraqitje të vlerësueshme ku në ndeshjen me Partizanin fitova trofeun e lojtarit të ndeshjes dhe në ndeshjen me Tiranës u bërë pjesë e formacionit të javës së 20-të për Superioren.
Nuk janë momentale këto arritje, pasi unë kam punuar vazhdimisht pavarësisht se hapësirat kanë qenë të cunguara. Vlerësoj besimin që më ka dhënë trajner Arjan Bellaj për sigurinë e portës, por dua të falenderoj edhe portierin e shkëlqyer të Vorës Shkëlzen Ruçi që më ka diktuar përvojën e tij gjatë stërvitjeve. Me Teutën do të vazhdoj ritmin, pasi edhe morali im është disi i lartë, por jo në atë temp, sa të nënvlerësoj sulmuesit durrsakë. Dua të jap kontributin maksimal edhe në këtë ndeshje të katërt me ta, për të marrë një rezultat pozitiv. Dua të përparoj dhe më shumë, pasi Vora është klubi që unë kam zgjedhur për të performuar e ky klub po ma jep atë mundësi”, tha Harizaj.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













