Popullimi në sulm, lëkundet e ardhmja e futbollistit të Egnatias
Egnatia është hedhur në sulm për të krijuar një skuadër solide dhe të denjë për tu përfaqësuar në turet kualifikuese të Ligës së Kampioneve.

Rrogozhinasit kanë gjetur akordin me sulmuesin e krahut Kastriot Selmani dhe nëse në fund kjo marrëveshje do të arrihej me sukses, do të sillte një rritje të ndjeshme të konkurrencës në skuadër, sepse si sulmues krahu apo të dytë janë disa të tillë në skuadrën e Egnatias, si: Kasa, Ujka, Lushkja, Zejnullai apo Melo.
Ndoshta, ndonjëri prej këtyre mund t’i thotë lamtumirë kampionëve në fund të këtij edicioni. Në ndeshjet e fundit, një prej lojtarëve që nuk është preferuar shumë mbetet Redi Kasa.
Megjithatë, e rëndësishme për Edlir Tetovën është që të ketë të gatshëm sa më shumë futbollistë me cilësi, sepse, përveç Europës, synimi sezonin e ardhshëm do të jetë edhe ruajtja e titullit kampion, çka kërkon një grup sa më cilësor dhe konkurrues për ta përballuar ashtu si duhet.
PANORAMASPORT.AL













