Plani për ballshiotët, Partizanit i mungojnë tre titullarë fiks
Partizani është në fazën më delikate dhe duhet të bëjë një sforco të madhe për të arritur çfarë të mundet nga ky sezon.
Aktualisht të kuqtë po mbajnë vendin e katërt në renditje, që të çon në finalet e titullit kampion, teksa kanë fituar edhe ndeshjen e gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë kundër Egnatias dhe të kthimit e luajnë në shtëpi javën e ardhshme. Pavarësisht se situata është në favor dhe të kuqtë kanë gjithçka në dorën e vet, vështirësia mbetet dhe Gega duhet të përballet edhe me mungesa të rëndësishme.
Agim Zeka nuk do të ketë mundësinë të japë kontributin e tij në këtë fund të sezonit. Sulmuesi pësoi një dëmtim në ndeshjen e fundit kundër Egnatias në kampionat dhe iu desh të linte fushën e blertë pa u plotësuar çerek ore lojë. Zeka ka rezultuar me një tërheqje muskulore që do të kërkojë afro një muaj kohë për tu rikuperuar, çka do të thotë se lojtari nga Prishtina e ka mbyllur sezonin dhe nuk do të mund të kontribuojë në këto ndeshje të mbetura. Me probleme në fitoren kundër Egnatias rezultoi të ishte edhe David Domgjoni, i cili fatmirësisht nuk ka diçka të rëndë dhe pritet të kthehet në harkun e disa ditëve.
Prizrenasi po përpiqet të jetë gati që me Bylisin, por duket e vështirë për shkak të rrezikut të një përshkallëzimi të dëmtimit. Problemet për Gegën në ndeshjen e radhës shtohen me mungesën e Kekos, që ka plotësuar numrin e 4 kartonëve dhe duhet ta ndjekë ndeshjen nga tribuna. Nisur nga dy mungesat e pritshme, formacioni i Gegës për transfertën e ardhshme kundër Bylisit pritet të pësojë disa ndryshime, por duke e ruajtur bazën që kishte në ndeshjen e fundit.
PANORAMASPORT.AL













