PIKANTET/ Tirana në siklet për dy futbollistë në derbi, çfarë nuk u pa në supersfidën me Dinamon
Redon Xhixha nuk do të jetë i gatshëm për Tiranën në javën e ardhshme. “Panorama Sport” mëson se kapiteni i bardhebluve nuk ia del të rikuperohet në kohë, kështu do mungojë sërish ndaj Dinamos dhe më pas për supersfidën me Partizanin.
Xhixha u dëmtua ndaj Egnatias në kampionat ku i dha fitoren Tiranës, pikërisht më 1 shkurt. 27-vjeçari luajti pjesën e parë në Rrogozhinë duke shënuar edhe golin e vetëm të sfidës, më pas u largua mes lotëve. Kapiteni i Tiranës iu bë makth Partizanit në periudhën 2021-2022. Fillimisht me një gol në minutën e 100- të i jepte fitoren 1 me 2 bardhebluve në dhjetorin e vitit 2021.
Rreth një vit më vonë, i shënoi dopietë Partizanit që ishte sërish klubi pritës. Të kuqtë e humbën 0 me 2 atë takim, edhe pse luajtën me një lojtar më shumë nga minuta e 40-të dhe Xhixha po ashtu humbi penallti në pjesën e parë. Edhe mbrojtësit Vera dhe Kortez dolën të dëmtuar dhe rrezikojnë sfidën e Kupës së ditës së mërkurë me Dinamon.
-Në sfidën e së shtunës, kapiteni i Tiranës ishte Angelo Tafas. Portieri është kapiteni i tretë pas Haxhiut dhe Redon Xhixhës të dy të dëmtuar.
-Në tribunë ishin Redon Xhixha, Rimal Haxhiu, Henry Marku, të dëmtuar. Haxhiu e Marku fillojnë këtë javë. -Rreth 2500 tifozë ishin të pranishëm në sfidën e së shtunës mes Tiranës dhe Dinamos.
-Pas golit të parë të Tiranës, Daja i vogël(Gleni) këshillohet me Dajën e madh(Iliri) për strategjinë që do të lëvizte ekipi në fushë.
-Menjëherë pas humbjes së penalltisë nga Bregu, Ilir Daja i jep kurajë me një duartrokitje lojtarit të bluve.
-Ardijan Nuhijun nuk e mban vendi. Njëherë e heq xhupin dhe një herë e vesh.
-Në një moment të lojës, Ardijan Nuhiju mundohet që të shkundë Diar Halilin, pas penalltisë që shkaktoi. “Diar, mbaroi ajo, vazhdo lojën”, deklaroi trajneri i Tiranës.
-Anësori Denis Rexha dëmtohet nga një top. Ndërhyjnë mjekët që mjekojnë anësorin në vetull.
-Polemika në tribunën e tifozëve të Tiranës. Një tifoz i Dinamos i provokon, e shoqëron policia.
-Në fillim të ndeshjes presidentët e të dyja skuadrave ishin bashkë, ndërsa në fund, Bardhi i Dinamos ulet në fund dhe ndjek me kërshëri sfidën mes dy skuadrave.
-Në shtesë, Dinamo luan 2 minuta me nëntë vetë, pasi Qefalija dëmtohet.
-Tifozët bardheblu e kanë me Reinaldo Kalarin, ndërsa ata të Dinamos me Enea Jorgjin për kartonin e kuq ndaj Gudiabit.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













