Pikantet/ Festë e çmendur kuqeblu, ka batuta për VAR-in! Balaj-Bismark vënë në presion mbrojtjen e Partizanit
Atmosfera në “Loro Boriçi” nuk ishte aq e zjarrtë sa pritej, megjithatë dueli mes Vllaznisë dhe Partizanit nuk zhgënjeu në fushë. Me rreth 3000 tifozë të pranishëm, përfshirë edhe një pjesë të grupit “Guerrils” të ardhur nga kryeqyteti, ndeshja solli tension, emocione dhe momente të veçanta si në pankinë, ashtu edhe në tribunë.
-Pritej një numër më i madh tifozësh në “Loro Boriçi”, të pranishmit në stadium nuk i kalojnë 3000. Ndërkohë nga kryeqyteti kanë udhëtuar një pjesë e grupit ultras “Guerrils”, për të mbështetur Partizanin.
-Nga stoli e nisin Mala dhe Kuros për Vllazninë, asnjë shqetësim fizik për ta. Por, një ndryshim i Martinit në minutat e fundit para zhvillimit të takimit.
-Martini e ka me të tijtë, të cilët në 2-3 raste hezitojnë të gjuajnë drejt portë. “Goditni portën” janë fjalët e teknikut shkodran.
-Nuk e mban vendi trajnerin Milinkoviç, që kërkon nga mbrojtja e tij të mos kthejë topa mbrapa për të rrezikuar. Ku dyshja Balaj-Bismark ushtronte presion të vazhdueshëm.
-Martini “detyrohet” të veshë një jelek portokalli, pasi fanella që mbante veshur trajneri i Vllaznisë ngjasonte me ngjyrat e skuadrës shkodrane. Dhe sipas rregullores diçka e tillë lejohet.
-Tifozët bëjnë ironi me Feratajn në rastin kur ky i fundit kontrollon rastin e penalltisë së Vllaznisë në VAR. “Po shkon të pyesë Ramën (Olsi), nëse duhet ta japë apo jo” janë fjalët e mbështetësve kuqeblu.
-“Shkoni tek portieri” janë fjalët që dëgjohen shpesh nga Martini në rastet kur të tijtë ekzekutojnë goditjet nga këndi.
-Minuta e 60-të shënon 5 zëvendësime në të njëjtën kohë, ku Partizani ndërron 3 futbollistë e Vllaznia 2 të tillë.
-Kërkon më ritëm nga Vllaznia trajneri Martini, që udhëzon të tijtë të shpejtojnë veprimet. Nga ana tjetër shumë i qetë Milinkoviç që ulet edhe në stol duke ndjekur ndeshjen nga aty për disa minuta.
-Ka duartrokitje nga publiku shkodran për Kallakun në momentin kur ky i fundit lë fushën për Tafilin.
-Në fund ka kartonë edhe për anëtarët e pankinës kuqeblu dhe saktësisht Kuros, që proteston më shumë seç duhet për vendimet e gjyqtarit Ferataj.
-Shpërthen në festë “Loro Boriçi” e po ashtu “çmendet” Edi Martini, që feston golin e Balajt si radhë herë së bashku me pjesën tjetër të ekipit.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













