Pikantet e Vllaznia-Pogradeci/ Shi dhe tribuna bosh, vetëm 500 tifozë të pakënaqur në “Loro Boriçi”

-Prani e vakët tifozësh, shiu i rrëmbyeshëm i gjithë ditës së shtunë në Shkodër ka ndikuar tek spektatori. Ku nuk janë më shumë se 500-600 të pranishëm në impiant e ndërsa tribuna ballore është totalisht bosh.
-Ndeshja nis disa minuta me vonesë, duket se skuadrat e kishin marrë më me qetësi se duhet startin e duelit.
-Sapo bie vërshëllima e parë e ndeshjes, nis shiu sërish në Shkodër. Nga tifozët shkodranë dëgjohet batuta: “Do Zoti me bereqet gjysma e dytë e sezonit”.
-Dëgjohet shpesh nga trajneri Çela fjala “dil”, në mënyrë që skuadra e tij të mos qëndrojë pas dhe rrezikojë në portën e saj.
-Shumë i qetë Martini tek Vllaznia, teksa Çela nuk ndalet me udhëzime sidomos për Grecen. Të cilit i kërkon t’i qëndrojë afër Kastratit.
-Kastrati me një gjest të bukur teknik kalon topin mes këmbëve të Zguros. Diçka që entuziazmon të pranishmit, të cilët kanë “kunja” në drejtim të pogradecarit.
-”Çojini një çaj portieri Jukaj, se u ftoh”, janë fjalët e tifozëve shkodranë të cilët i referohen gardianit të tyre i cili ishte një spektator pa pagesë në stadium.
-Martini e “ka” me Tafilin në një moment, ku mesfushori nuk kontrollon mirë një top që mund të shndërrohej në një rast të volitshëm. “Më i vëmendshëm” janë fjalët e teknikut shkodran.
-Tifozët shkodranë të pakënaqur me performancën e skuadrës së tyre, ku disa prej tyre drejtohen me fjalët: “A keni turp?”. Madje duke kërkuar “llogari” edhe tek Martini.
-Në fund mbyllet me kualifikimin e Vllaznisë me shifrat 1-0 mes shumë vështirësive. Ku përveç rezultatit, loja nuk ishte aty ku duhet nga ana e skuadrës kuqeblu.
-Momente paniku pati në minutën e 41-të, kur Lirim Kastrati u ul në fushë dhe pati nevojë për ndihmën e stafit mjekësor. Shkak u bë një lëndë plasëse, që shpërtheu pranë tij.
PANORAMASPORT.AL













