Pikantet e Vllaznia-Egnatia/ Kapen çanta me flakadanë, Brdariç ngre pantallonat. Aleksi e mbyll me puro, ja çfarë nuk u pah në TV (E PLOTË)
Atmosferë elektrizue se rreth e përqark stadiumit “Arena Kombëtare”. Një karvan i gjatë tifozësh shkodranë kanë nisur ecjen që nga Fakulteti Ekonomik drejt stadiumit. Rrugët e bllokuara deri në afërsi. Ja pikantet e finales Vllaznia-Egnatia nga “Panorama Sport”.
– Marçiniak më shumë se stërvitje apo nxehje, po sheh ambientin dhe po studion me detaje fushën.
– Në shkallët e stadiumit, përkatësisht në tribunën kryesore, ishte e pranishme edhe familja e trajnerit të Vllaznisë, Thomas Brdariç.
-“Kthejani kunorën mbretëreshës”, ishte një banderolë e madhe e vendosur nga tifozët shkodranë në katin e dytë të stadiumit. Poshtë saj ata falënderonin edhe presidentin e nderit të Vllaznisë, Ardit Krajën.
-Flamuri i Vllaznisë, i Egnatias dhe ai kombëtar vendosen në fushën e “Arena Kombëtare”. Të gjithë po bëhen gati për të pritur lojtarët. Vjen momenti dhe futbollistët dalin, por ngatërrojnë anën. Ata të Egnatias drejtohen nga flamuri i Vllaznisë dhe e kundërta. Më pas, Aleksi i bën me shenjë gjyqtarit Marçiniak se duhet të ndërrohen anët. Ai jep “ok” dhe gjithçka rregullohet.
-Pak minuta para se të nisë takimi, security kap tifozët e Vllaznisë, të cilët po përpiqeshin të fusnin fshehurazi nëpërmjet dy çantave, mjete piroteknike. Dy çantat që kishin sasi të konsiderueshme flakadanësh u morën nga delegati i ndeshjes, Marjus Sulejmani, i cili urdhëroi të nxirreshin jashtë. Ato momente filloi edhe tensioni i parë nga tifozët, të cilët u kapën me forcat security, por gjithçka mbaroi kur mjetet ranë në dorën e këtyre të fundit.
-Bëhet me dije se para fillimit të supersfidës është shoqëruar nga policët një pjesëtar i stafit mjekësor të Vllaznisë, i cili kishte futur në çantën e mjekut flakadanë për t’i dërguar t tifozët shkodranë. Forcat e rendit zbuluan skemën dhe e shoqëruan menjëherë pjesëtarin e stafit mjekësor të Vllaznisë.
-Nëse për tifozët nuk lejohen mjetet piroteknike, FSHF kishte menduar një shou me fishekzjarrë përpara se ndeshja të fillonte. Në fakt ato u zgjatën pak, çka u duk disi e çuditshme për vetë ambientin. Edhe vetë gjyqtari polak po shihte herë pas here ato fishekzjarrë që nuk ishin edhe aq të lehtë.
Aty ku ishin vendosur, fusha mbeti me shumë papastërti, edhe pse punëtorët e stadiumit po lëviznin për t’i pastruar. I gjithë shou u bë me dritat e fikura, për të krijuar edhe më shumë një ambient të zjarrtë, ndërsa stadiumi u mbulua nga një re tymi. Ndeshja fillon në 20:03 minuta.
Ndërkohë, policia ka shoqëruar disa tifozë lidhur me futjen e mjeteve piroteknike në stadium. Arbin Zejnullai shfaqet me një look të ri. Mesfushori ka lyer flokët, duke i bërë ngjyrë gri e errët. Të dy trajnerët, si Tetova dhe Brdariç, kishin zgjedhur të visheshin me kostum të zi. Ndryshimet e vetme ishin atletet e bardha të gjermano-kroatit dhe kollarja kafe e trajnerit të Egnatias.
6’ Lushkja hesht stadiumin. Mesfushori shënon në portën e Vllaznisë dhe vendos gishtin te goja, duke thënë: “Heshtje”. Ai feston në krahun e tifozëve shkodranë, të cilët shpërthejnë. Marçiniak këshillon për herë të fundit Fernandon, i cili e vonon lojën duke larguar një top që duhet të rivihej në lojë nga Vllaznia.
Krymi ndalon një aksion me një faull, ndërsa Bakajoko merr topin dhe vijon lojën. Përfundon aksioni dhe kryesori nuk e fal mesfushorin shkodran dhe e ndëshkon me karton të verdhë. Përleshje fizike në tribunën përballë. Një grup tifozësh, shumica të Vllaznisë, kapen fizikisht për disa minuta, aq sa fitojnë vëmendjen e të gjithëve dhe ndeshja kalon në plan të dytë për disa momente. Me vonesë, por të paktën ndodh që policia të ndërhyjë dhe të shuajë gjithçka. Pas golit të dytë, Tetova lirohet dhe këtë e shpreh edhe në zbërthimin e xhaketës.
58’ Repaj kërkon zëvendësim te Brdariç, trajneri bën gati Bajramin, i cili hidhet në fushë i detyruar.
55’ Përplasje kokë më kokë dhe panik në një moment. Alijev në tokë lëvizur dhe Marçiniak që i thotë Xhemajlit që të mos ndërhyjë sepse duhet të vijë stafi mjekësor. Gjithçka kalon pa ndonjë dëmtim të rëndë. Në minutën e 60-të, pasi Alijev dhe Mensah duan të kapin topin, por futbollisti i Egnatias e rrëzon flamurin këndor me një spërkatë.
Menjëherë afrohet Gurishta, i cili tenton ta vendosë për të rifituar kohë. Me vështirësi për ta vendosur, afrohet edhe Fernando për të ndihmuar. Megjithatë, flamuri bie dhe loja nuk vijon. Më pas, Gurishta e thyen dhe vendos pjesën e mbetur, edhe pse më e shkurtër se këndoret e tjera. Marçiniak vijon lojën. Brdariçin nuk e mban vendi dhe ngre pantallonat, duke i bërë një model treçerekësh. Gjatë gjithë kohës i bërtet Kahrimanoviçit për të shtyrë përpara dhe jo për të kthyer topin nga porta e tij.
Tifozët e kanë me Marçiniak, i cili jep një faull për portierin Dajsinani. Nuk harrohet legjenda Rafael Duamena nga tifozët e Egnatias. Rreth minutës së 70-të, stadiumi oshtin emrin e sulmuesit më të mirë që ka parë kampionati shqiptar të paktën në dekadën e fundit, por që u nda nga jeta para mbi një viti në mënyrën tragjike në fushë, në një ndeshje mes Partizanit dhe Egnatias në Rrogozhinë. 85’ Pas golit të tretë, tifozët e Vllaznisë fillojnë të largohen në masë nga stadiumi.
Ata ishin mbi 8 mijë të pranishëm në ndjekje të ekipit të tyre që nuk ishte në ditën e tyre më të mirë, duke humbur finalen. Shihet një boshatisje e stadiumit, ndërsa festë në sektorin e tifozëve rrogozhinas. Vërshëllima e fundit dhe Egnatia shpërthen në festë. Stafi dhe lojtarët në qiellin e shtatë sepse shpallen kampionë të Shqipërisë për herën e dytë në histori.
Të gjithë shkojnë dhe festojnë me tifozët, së bashku me presidentin Demrozi që zbret në fushë. Një shishe me ujë tentohet të hidhet drejt gjyqtarit Marçiniak.
• Festa është e gjitha për Egnatian. Albano Aleksi rrëmben vëmendjen me kërcimin special, ndërsa shfaqet me një puro në dorë. Ndërkohë, nuk mungon krenaria dhe lumturia e lojtarëve për këtë arritje të madhe
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL













