Pikantet e Teuta-Pogradecit/ VAR-i ndezi “Niko Dovanën”, tension dhe dramë në fund
Sfida e “play out”-it në stadiumin “Niko Dovana” ishte një duel tepër delikat për Teutën, ndërsa shpërthimi i madh erdhi vetëm në minutën e 93-të. “Panorama Sport” sjell disa nga momentet më pikante të ndeshjes dramatike ndaj Pogradecit.

-Stadiumi “Niko Dovana” ishte i mbushur dhe sportdashësit durrsakë nuk e zhgënjyen skuadrën në këtë “finale”, duke e mbështetur Teutën. Edhe pse moti ishte i keq deri pak para nisjes së sfidës, interesi për këtë duel mbijetese ishte i jashtëzakonshëm. Rreth 4000 tifozë ishin të pranishëm në stadium, ndërsa binin në sy edhe shumë mbështetës pogradecarë, të cilët kishin udhëtuar me shpresën se skuadra e tyre do të realizonte projektin trevjeçar për ngjitjen në Superiore.
-Një banderolë e madhe ishte hapur nga tifogrupi “Djemtë e Detit”, ku shkruhej: “Kjo fanellë nga etërit e trashëguar, në Superiore përjetë e shkruar”.
-Trajneri i Pogradecit, Emiljano Çela, gjatë gjithë kohës u fliste lojtarëve të tij: “Bravo çuna, shumë mirë. Aty rrimë, jemi OK në gjysmëfushë”.
-Nga stafi i Teutës dëgjoheshin vazhdimisht thirrjet: “Qetë djema, ka minuta boll. Luajmë thjesht, mos nxitohemi”.
-Momenti që ndryshoi fatin e ndeshjes dhe ndezi tensionin në stadium ishte kartoni i kuq për Friman Pius. Fillimisht, Enea Jorgji e kishte ndëshkuar futbollistin e Pogradecit me karton të verdhë në minutën e 78-të për një faull ndaj Zhongos. Vetëm tre minuta më vonë, pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj një lojtari durrsak, arbitri u thirr nga VAR-i për të rishikuar episodin në monitorin pranë fushës. Pasi pa pamjet, Jorgji vendosi ta kthente kartonin në të kuq, duke lënë Pogradecin me 10 lojtarë.
-Vendimi solli tension të madh në fushë. Pius, i revoltuar, iu drejtua arbitrit duke protestuar ashpër dhe nuk pranonte të largohej nga loja. “Do rri këtu, nuk dal”, dëgjohej të thoshte në anglisht, derisa ndërhyrja e shokëve të skuadrës bëri që ai të dilte jashtë fushës. Me karton të verdhë u ndëshkua edhe trajneri Emiljano Çela, i cili protestoi ashpër ndaj vendimit të arbitrit.
-Çlirim i madh te Teuta pas vërshëllimës finale. Futbollistët, stafi dhe tifozët shpërthyen në festë, ndërsa përqafimet në fushë tregonin peshën e kësaj fitoreje. Durrsakët jo vetëm siguruan mbijetesën, por ruajtën edhe një statistikë, si ekipi që nuk ka rënë nga Superiorja në epokën moderne të futbollit shqiptar.
PANORAMASPORT.AL













