Pikantet e Skënderbeu-Egnatia/ Tifozët parashikojnë penalltinë e humbur
“Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet pikante të ndeshjes mes Skënderbeut dhe Egnatias, e luajtur të shtunën në Korçë dhe e fituar nga vendësit me shifra minimale me një penallti të Nikajt.
* 500 tifozë, kanë ndjekur nga afër ndeshjen e së shtunës mes Skënderbeut dhe Egnatias, ndeshje që i ka rikthyer buzëqeshjen tifozëve korçarë, që kishin javë pa provuar ndjesinë e fitores.
* Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka festuar dhe është parë i buzëqeshur në fund të ndeshjes, duke gëzuar që ekipi i tij fiton në një ndeshje tejet delikate dhe të vështira për ecurinë e këtij sezoni në Kategorinë Superiore.
* Ndeshja ka nisur mirë që në fillim për Skënderbeun dhe kjo është ndjerë edhe në shkallët e stadiumit, ku në tribunën qendrore tifozët e pakët kanë përjetuar ndjesi pozitive se ekipi ka filluar të reflektojë në raport me situatën. Diçka e tillë është shoqëruar edhe me mbështetje në kor kushtuar ekipit, që ka treguar forcën e duhur të karakterit në këtë ndeshje.
* Ajo çka ka sjellë reagim të kundërt ka qenë penalltia e gabuar e Bismarkut për avantazhin e Skënderbeut. Pas caktimit të tij si goditës tifozët nuk kanë qenë optimistë dhe pas humbjes së penalltisë kanë treguar haptazi pakënaqësinë e tyre.
* Trajneri Gjoka nga ana tjetër nuk ka dashur ta bëjë dramë, duke u munduar të qetësojë ekipin pas këtij gabimi. Trajneri ka dhënë mesazhe të qarta që lojtarët duhet të vijojnë të jenë të qetë dhe të mbajnë të njëjtën ritëm në fushë. Ky ritëm ka sjellë shpërblimin e vet në pjesën e dytë me një tjetër penallti të kthyer në gol, këtë herë nga Nikaj.
* Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, nuk ka qenë aspak i qetë dhe është shfaqur shumë i pakënaqur me ekipin përgjatë gjithë ndeshjes. Veçanërisht në pjesën e parë trajneri ka kërkuar që të ketë më shumë qetësi dhe mendim loje në mesin e fushës për të mos i lënë më shumë hapësira Skënderbeut. Udhëzimet e tij nuk kanë dhënë reagimin e duhur në ekip, ndaj edhe për këtë trajneri ka vendosur të bëjë dy ndryshime në fillim të pjesës së dytë.
* Minutat e fundit të ndeshjes kanë qenë tejet të vështira për Skënderbeun, aq sa i gjithë stoli është munduar të mbajë të përqendruar lojtarët për të mos çeduar pas presingut të lartë të Egnatias.
PANORAMASPORT.AL













