PIKANTET E PARTIZANI-ELBASANI/ Tifozët verdheblu e kanë inatin me Kërnajën në ndeshjen e tensionuar, rishfaqet Abilaliaj
“Panorama Sport” ju sjell në vijim të veçantat e ndeshjes mes Partizanit dhe Elbasanit:

– Ish-drejtori i Partizanit, Arbër Abilaliaj është prezent në stadium.
– Sapo përgatitet të nisë takimi, tifozët e Elbasanit nisin ofendimet në kor ndaj trajnerit Kernaja.
– Nga tribuna kryesore ka një bandërolë të dedikuar për Marjus Kolën. Ky i fundit, disa orë më parë kishte zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Partizani duke u konfirmuar si një element i rëndësishëm për skuadrën e kuqe.
– Pikërisht është Kola ai që asiston për golin e parë të Skukës, mbrojtësi përqafon trajnerin Kërnaja, teknikun që i besoi dhe i dha shansin për të treguar cilësitë në elitë.
– Trajneri Kërnaja përfiton nga ndërprerja e lojës për t’i dhënë direktiva Isgandarli, duke i treguar bllokun e skemave.
– Isgandarli shënon dhe më pas teksa është duke u kthyer në gjysmëfushën e tij, goditet nga tifozët e Elbasanit, tribunat shpërthejnë në të shara.
– Trajneri Kërnaja bën gati Muratajn, ovacione nga tifozët e Partizanit në tribuna për mesfushorin që u rikthye në shtëpi.
– Buxhelaj largohet me barrelë pas një goditje në kokë, me trajnerin Kërnaja që i jep kurajë dhe e puth në ballë.
– Tifozët e Elbasanit bëjnë shënjestër edhe Muratajn, ofendime dhe goditje.
– Sembene i tremb të gjithë, shembet në tokë… Panik për disa sekonda, me ambulancën që futet në fushë. Bytyçi i qetëson të gjithë duke bërë me shenjë se gjithçka është në rregull. Mbrojtësi largohet me barrelë.
– Trajneri Kërnaja kërkon të dijë sa është shtesa, e cila ende nuk ishte akorduar për shkak të ndërprerjes së ndeshjes nga ajo që ndodhi me Sembene.
– Bunjaku shtyn Muratajn pas një rivënie anësore, duke nervozuar tifozët e Partizanit dhe stafin e të kuqve.
– Tension edhe pas përfundimit të sfidës, me lojtarët dhe të dy stafet që u shfaqën nervozë. Për fat situata nuk agravoi edhe më shumë.
EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL













