Pikantet e Elbasani-Vora/ Tensione në tribuna dhe një doktor kandidat për kryebashkiak
Tensione në tribuna, një doktor kandidat për kryebashkiak që jep ndihmën e larë në fushë dhe rikthimi i idhullit të tifozerisë pas një mungese të gjatë. Këto dhe jo vetëm ishin disa nga pikantet që serviren nga “Panorama Sport” për sfidën Elbasani-Vora(1-2).

– Në stadium ishin afro 3500 tifozë të pranishëm, ku sigurisht nuk munguan as ultrasit e të dyja skuadrave që gjatë gjithë ndeshjes mbështetën skuadrën e tyre. Gjithsesi, tensionet nuk munguan, sepse pas golit të barazimit të miqve disa tifozë të Elbasanit kaluan rrethimin dhe shkuan pranë tribunës së tyre. Megjithatë, ndërhyrja në kohë e stjuartëve dhe më pas e policisë evitoi agravimin e situatës.
– Elbasani pati në pankinë një mjek jo si të tjerët në këtë ndeshje. Bëhet fjalë për Amarildo Hoxhën, i cili ka shpallur kandidaturën për kryebashkiak të Cërrikut si kandidat i pavarur me mbështetjen e opozitës. Mesa duket, edhe pse në kulmin e fushatës, ai nuk ka hequr dorë edhe nga profesioni i tij i mjekut.
– Në stadium nuk mungoi një baner që i ishte dedikuar sulmuesit të Elbasanit, Arsen Lleshi, teksa në të shkruhej: “Lleshi is back”, çka nënkupton rikthimin e tij pas një mungese të gjatë. Ai u aktivizua disa minuta në fund, por pa lënë dot shenjë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













