PIKANTET E ELBASANI-BYLIS/ Nga agjërimi te polemikat, tifozi i kërkon falje Josës
Sfida mes Elbasanit dhe Bylisit nuk prodhoi vetëm emocione në fushë, por edhe disa momente të veçanta në tribuna dhe jashtë vijave të bardha. Nga çelja e iftarit menjëherë pas nisjes së pjesës së dytë, te tensioni në minutat e fundit dhe deri te gjesti “fair-play” në fundin e takimit me protagonist trajnerin Mirel Josa, kjo përballje pati episode që shkuan përtej rezultatit sportiv.

– Sapo nisi pjesa e dytë e ndeshjes, çelet iftari për të gjithë ata që agjërojnë. Kishte disa lojtarë të Elbasanit që ishin me agjërim dhe konsumuan diçka gjatë lojës, në një kohë që arbitri ndali ndeshjen për pak çaste. U vu re se në stadium kishte shumë besimtarë që kishin marrë ushqimin me vete dhe prisnin pikërisht çeljen e iftarit.
– Nuk munguan as momentet e tensionit të tifozëve elbasanas me lojtarët e Bylisit pak minuta para fundit, për shkak të vonesave që këta të fundit po i bënin lojës.
– Një tifoz i Elbasanit shkon të takojë Mirel Josën në përfundim të sfidës. Tifozi e përqafoi dhe i kërkoi ndjesë, pasi në një moment gjatë lojës ofendoi trajnerin. Josa, e mori me sportivitet këtë moment, duke përqafuar tifozin, edhe për gjestin fisnik që bëri në fund, ku i kërkoi falje.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













