Pikantet e Dinamo-Elbasani/ Kunj bluve për biletat, ironi me batutë filmash (E PLOTË)
Ndeshja mes Dinamos dhe Elbasanit pati shumë tension në tribuna, ku pati edhe përplasje fizike. “Panorama Sport” sjell për lexuesit e saj disa nga momentet pikante të sfidës:
-Ndeshja nis me fishekzjarrët e hedhura nga ultrasit elbasanas, ndërsa që në fillim nisën fyerjet ndaj drejtuesve të klubit dinamovit. E gjitha kjo lidhet për çmimet e biletave, që janë konsideruar të kripura nga verdheblutë.
-Ultrasit verdheblu kishin bërë një pankartë me kunj ndaj Dinamos që lidhet me një film shqiptar me spiunë. “Gëlltit robi një çorbë të prishur dhe e vjell tërë jetën”, shkruhej në këtë pankartë.
-Si për të ndjellë diçka të keqe, para sfidës në tribunën qendrore shfaqet një mace e zezë, që duket se i ndolli ters Elbasanit, duke parë si shkoi situata. Dinamo mund të quhet pa frikë “macja e zezë” për verdheblutë, sepse i ka mundur në të tria ndeshjet.
-Te dëmtimi i Arsen Lleshit pati tension mes trajnerit Ilir Daja dhe stafit elbasanas. Diçka këmbyen në distancë dhe u desh ndërhyrja e gjyqtarit të 4- t për të qetësuar gjakrat.
-Elbasani ankohet për ndërhyrjet e ashpra ndaj futbollistëve të tyre, pas dëmtimit shumë të shpejtë të Lleshi dhe më pas Gjonit.
-Dajën e acaron asistenti Mario Shazivari për një anësore në dëm të skuadrës së tij, që ndodhi fare pranë stolit blu.
-Në protokoll ishte shënuar në formacion Dita, por në lojë nga minuta e parë ishte Hoxha. Në nxemje kapiteni blu pësoi një tërheqje dhe nuk mundi të luante, madje u pa të dilte duke çaluar nga stadiumi.
-Dinamo e merr me përtesë daljen në fushë në pjesën e dytë, në një kohë që elbasanasit prisnin që ata të vinin në tapetin e gjelbër.
-Në momentin e dëmtimit të Mandelës, që u duk i rëndë, shkon për ndihmë edhe stafi mjekësor i Elbasanit. Ai luan më pas me kokë të fashuar.
-Në fund të ndeshjes nuk munguan as fyerjet ndaj trajnerit Ilir Daja, i cili mbahet mend si njeriu që i shpalli kampionë dy dekada më parë verdheblutë. Në ndeshjen e kaluar, kur Dinamo fitoi 0-5, trajneri kryeqytetas u përcoll me duartrokitje, ndërsa mbrëmë mes një lumi sharjesh dhe gota birrash nga ana e tifozerisë.
-Në një moment tifozët elbasanas u futën brenda rrethimit të fushës, por u ndalën nga forcat e rendit. Pati edhe hedhje sendesh në fushë në ndonjë moment.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













