Përndreca: Bylisi si shtëpi, dua edhe Kombëtaren U-21

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 6, 2025 | 19:18

Përndreca: Bylisi si shtëpi, dua edhe Kombëtaren U-21

Bylisi, edhe pse kampionati i Superiores, ai i U-19 apo Kategorisë së Tretë kanë përfunduar, është ende në aktivitet me ekipin U-21. Mallakastriotët kanë si synim që sezonin e ardhshëm të jenë dinjitozë në kampionatet kombëtare, ku sigurisht që do të ketë prioritet sidomos në Kategorinë Superiore, por edhe në Kategorinë e Dytë apo me moshat, sidomos U-19.

perndreca

Te Bylisi, në sezonin që sapo u mbyll, lanë mbresa shumë lojtarë, vendës e të huaj, ku vlen të veçohet sidomos njëri ndër ta dhe pikërisht anësori i linjës së majtë, 18-vjeçari Fabian Përndreca, pjesë edhe e Kombëtares U-19. Përndreca fitoi edhe një vend titullari në Ballsh sidomos në javët e fundit të garës, ndërsa në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet i kënaqur për paraqitjen e tij.

“Mbylla sezonin e dytë në Ballsh dhe unë jam i kënaqur, sepse kam marrë minuta, duke u rritur edhe më shumë, sepse kam luajtur si me U-19, ashtu edhe me U-21 apo dhe ekipin ‘B’ dhe në Superiore javët e fundit. Kanë qenë padyshim ndeshje shumë me emocion për mua, por që më kanë vlejtur për të qenë një hap para në sezonin e ardhshëm, pasi synoj që të luaj si titullar në Superiore me skuadrën e parë.

E realizuam synimin që ishte mbijetesa në elitë kështu që jam shumë i lumtur. Vjet fitova titullin me U-19, kurse këtë vit fitova një medalje me ekipin ‘B’ dhe shpresoj edhe me ekipin U-21. Besoj që sezonin e ardhshëm kam synime edhe më të mëdha, pasi synoj që të kap një vend në ekipin Shpresa U-21. Fanella kuqezi është ëndërr dhe unë shpresoj që pas U-15, U-16, U17, U-18 dhe U-19, të luaj edhe me U-21″, tha anësori i majtë i Bylisit, Fabian Përndreca që është një nga lojtarët më të rinj në Superiore që kanë debutuar sezonin e shkuar, por edhe me shumë të ardhme, i cili spikati me klubin ballshiot.

Bylisi, duke qenë se kampionatet përfunduan më herët do të vazhdojë edhe për pak javë stërvitjen, në mënyrë që lojtarët të ruajnë formën. Më pas, mallakastriotët do të marrin pushim për diçka afro një muaj, për të qenë gati në fillimin e korrikut. Kampionati pritet që të nisë javën e fundit të gushtit, ndaj edhe ballshiotët deri tani janë sipas planit.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL