Përgatitja e penalltive, Egnatia mendon për ndeshjen e kthimit në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2025 | 15:02

Përgatitja e penalltive, Egnatia mendon për ndeshjen e kthimit në Europë

Egnatia hyn në ndeshjen e kthimit ndaj Olimpijas së Sllovenisë me një plan të qartë dhe të kujdesshëm, duke u përqendruar kryesisht në mbajtjen e portës së paprekur gjatë pjesës së parë.

egnatia

Kjo është strategjia kryesore që trajneri ka përcaktuar për të shmangur presionin dhe për të mos lejuar kundërshtarin të marrë avantazhin që në fillim. Pjesa e parë pritet të jetë me shumë kujdes, ku mbrojtja dhe disiplinimi taktik do të jenë thelbësore. Qëllimi është që Egnatia të mos pësojë gol, duke siguruar kështu një bazë të fortë për të zhvilluar më pas lojën në pjesën e dytë. Ky plan është ndërtuar mbi përvojat e mëparshme të skuadrës, ku në përballje me ekipe si Breidablik dhe Dinamo Minsk, Egnatia ka arritur të përfitojë në momentet kyçe të ndeshjes, duke shënuar golat vendimtarë në minutat e fundit.

Në pjesën e dytë, me portën e mbrojtur mirë dhe një qetësi më të madhe, skuadra do të kërkojë të shfrytëzojë çdo mundësi për të shënuar golin që i nevojitet për të kaluar më tej. Minutat e fundit të ndeshjes priten të jenë tepër të tensionuara dhe vendimtare, ku çdo aksion, çdo gabim apo rast mund të ndryshojë fatin e duelit. Ndaj kësaj, qetësia dhe durimi janë dy elementë që Egnatia do të përpiqet t’i ruajë deri në fund, me synimin e qartë për të përmirësuar performancën dhe për të shkruar një faqe të re në historinë e saj europiane.

EVITIMI I PENALLTIVE – Mund të thuhet pa frikë se Egnatia i ka makth penalltitë dhe do të përpiqet që ndaj Olimpijas t’i evitojë gjuajtjet e 11-metrave që mund të vendosin kalimin për në turin tjetër. Thuhet kështu, pasi në dy sezonet e kaluara e kanë pësuar pikërisht nga goditjet e 11-metërshave. Më konkretisht, sezonin e kaluar në Ligën e Kampioneve munden nga ekipi i Borak në transfertë në shifrat 1 me 0 dhe fitojnë në kthim 2-1, por në ruletën e penalltive dalin të mundur. E njëjta gjë ishte përsëritur edhe në debutim përballë skuadrës së Ararat. Barazonin 1-1 në transfertë dhe 4-4 në shtëpi, por në fund më të saktë te penalltitë u treguan kundërshtarët që avancuan më tej. Dy drama që u hoqën mundësinë rrogozhinasve të vazhdonin rrugëtimin e tyre në Europë. Gjithsesi, për të vulosur edhe njëherë makthin e penalltive, mjafton të kujtojnë edhe finalen e kupës së Shqipërisë me Dinamon këtë sezon. Rrogozhinasit e humbën këtë trofe pikërisht pas gjuajtjes së penalltive.

Vladimir Mema-PANORAMASPORT.AL