Përfundon investimi i përbashkët! Luftëtari në krizë rezultatesh, por Gjirokastra fiton dy fusha të reja
Luftëtari po kalon një moment të vështirë në aspektin e rezultateve në Kategorinë e Parë. Pas 29 javësh kampionat, gjirokastritët renditen në vendin e fundit dhe konsiderohen si pretendentët kryesorë për rënie në Kategorinë e Dytë. Megjithatë, një tablo krejt ndryshe paraqitet në aspektin e infrastrukturës sportive në qytetin e “gurtë”.

Në Gjirokastër janë inauguruar dy fusha të reja futbolli, një investim i rëndësishëm i realizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me Bashkia Gjirokastër, në kuadër të projekteve për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe mbështetjen e futbollit në komunitet. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Armand Duka dhe Flamur Golemi, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij investimi për krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë dhe për zhvillimin e futbollit në qytet. Presidenti Duka e cilësoi këtë projekt si një shembull të suksesshëm bashkëpunimi dhe një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve për brezat e rinj. “Do të doja t’ju falënderoja të gjithëve për praninë dhe për atmosferën e krijuar sot. Kjo ceremoni nuk është thjesht një inaugurim, por një mesazh i qartë për futbollin. Një mesazh se të gjithë bashkë jemi në një emërues të përbashkët për zhvillimin e kësaj loje të bukur.

Projektet tona do të vazhdojnë për të investuar në infrastrukturë dhe për t’u ofruar të rinjve kushte sa më të mira. Bashkëpunimi me Bashkinë e Gjirokastrës është një shembull fantastik që duam ta shohim në të gjithë vendin”, u shpreh Duka. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë, Flamur Golemi, theksoi se këto investime janë jetike për të rinjtë që ëndërrojnë të ndjekin futbollin dhe për zhvillimin e komunitetit. “Të falënderoj, mik, jo vetëm për inaugurimin e këtyre dy fushave, por për mbështetjen që i jepet sportit. Këto janë shumë të domosdoshme për të rinjtë që synojnë të bëhen futbollistë. Futbolli është një disiplinë që ndihmon në rritjen e shëndetshme të fëmijëve dhe në zhvillimin e komunitetit tonë”, u shpreh Golemi. Në një moment kur rezultatet në fushë mungojnë, investimet në infrastrukturë japin një mesazh shprese për të ardhmen e futbollit në Gjirokastër.
PANORAMASPORT.AL













