Pengu i Partizanit pas shortit në Europë, rrugëtimi mund t’i përplaste “demat” me emër të madh
Dje u hodh shorti për turin e tretë të Ligës së Konferencës dhe Partizani nuk ishte aty. Kalju, që eliminoi të kuqtë me rezultatin e përgjithshëm 2-1, do të përballet me irlandezët e St. Patriks. Fituesi i këtij dueli do të ndeshet më pas me një prej gjigantëve europianë: Beshiktash ose Shakhtar Donetsk.

Ky zhvillim e shton më tej ndjesinë e pengut për Partizanin. Eliminimi në turin e parë, për më tepër ndaj një rivali me emër që nuk frikëson në Europë, mbylli një rrugëtim që mund të kishte marrë tjetër kah. Me një paraqitje më dinjitoze, të kuqtë do të kishin pasur shansin të testonin veten në një sfidë europiane të nivelit të lartë, përballë një prej emrave të mëdhenj.
Prej kohësh, Partizani nuk ka zhvilluar një ndeshje zyrtare europiane ndaj një kundërshtari të këtij niveli. Miqësorja me Romën në vitin 2022 mbetet një kujtim i bukur, por i parëndësishëm në aspektin sportiv. Këtë herë, do të ishte ndryshe. Një sfidë ndaj Beshiktashit ose Shakhtarit do të përfaqësonte një reklamë të vërtetë për klubin e kuq. Dhe sigurisht, më tepër të ardhura.
PANORAMASPORT.AL













