Pas ndarjes me Partizanin, Veselinoviç nis rrugëtimin e ri në tokën e milionave
Aleksandar Veselinoviç ka zgjedhur ku do e vazhdojë karrierën. Pas largimit nga Partizani ka mbetur pa ekip, por jo edhe për shumë gjatë.
Ish-trajnerin e të kuqve do ta shikojmë në Katar. Veselinoviç do të udhëtojë atje në ditët e para të këtij muaji, për të vazhduar një eksperiencë të re. Më pare, Veselinoviç ka dhënë kontribut në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Kështu puna në vendet arabe nuk është diçka e re për të. Emri i klubit akoma nuk bëhet i ditur, megjithatë raportohet se Veselinoviç do të marrë vete staf nga Serbia.
PARTIZANI- Veselinoviç e filloi me entuziazëm aventurën në Tiranë. Rezultatet i buzëqeshën 55-vjeçarit, që u bë trajneri i parë serb në krye të Partizanit. Pas largimit të disa prej lojtarëve kryesore në janar, Veselinoviç shprehu hapur pakënaqësitë. Te Partizani pasuan rezultatet negative. Për këtë palët ndërprenë bashkëpunimin disa ditë para fundit të muajit shkurt. Veselinoviç drejtoi Partizanin në 26 ndeshje që nga data 31 gusht. Me të në krye, Partizani fitoi 9 takime, humbi vetëm 3 dhe barazoi plot 14. Pas javës së 26-të, që përkoi edhe me largimin e Veselinoviç, Partizani ndodhej në vendin e katërt. Të kuqtë kishin 8 pikë më pak se Egnatia e vendit të parë dhe 9 pikë më shumë se Elbasani ndjekës. Me këtë të fundit distanca u ngushtua në vijim, madje në javën e parafundit të kuqtë humbën vendin e katërt.
PANORAMASPORT.AL













